Tre raste të dyshimta të falsifikimit të kartëmonedhës 500 euroshe

Disa kartëmonedha të 500 eurove, janë raportuar si të dyshuara për falsifikim, në tre raste të ndara, vetëm gjatë ditës së djeshme në Kosovë. Dy nga rastet, janë evidentuar në Podujevë e një në Ferizaj.

Menaxheri i një banke në Podujevë, ka paraqitur rastin në Polici, nën dyshimin se ka hasur në tri kartëmonedha të falsifikuara, secila në vlerë nga 500 euro.

Po në këtë qytet, një zyrtar i një banke ka raportuar në Polici një rast tjetër. Gjatë numërimit të parave, ai ka gjetur një kartëmonedhë po me vlerë prej 500 euro për të cilën ka dyshuar se mund të jetë e falsifikuar. Sipas Policisë rasti vazhdon të hetohet.

Një rast tjetër, i dyshuar i një 500-she të falsifikuar është raportuar nga një punëtore bankare në Ferizaj. Policia, njofton se i ka sekuestruar këto para për të ndjekur procedurat hetimore.