Foto: Ilustrim

Kartëmonedha të dyshuara false me vlerë 500, 50 dhe 20 euroshe, kapen nga Policia në Prishtinë

Vetëm brenda 24 orëve, në lokacione të ndryshme në komunën e Prishtinë, dhe në vlera të ndryshme, janë raportuar 3 raste të dyshuara falsifikimit të parave.

Policia njofton se një zyrtare e bankës, në rrugën ‘’Robert Doll’’ në Prishtinë, ka informuar se një qytetar ka deponuar në bankomat një kartëmonedhë me vlerë prej 500 eurove e cila dyshohet që është e falsifikuar. Pas sekuestrimit të të hollave, siç njofton Policia, me vendim të prokurorit, rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Rasti tjetër i raportimit të parave të falsifikuara, po ditën e djeshme, ka ndodhur në rrugën ‘’Ukshin Hoti’’. Edhe për këtë rast, një zyrtare e bankës ka informuar se një person i dyshuar ka deponuar një kartëmonedhë në shumën prej 50 eurove e cila gjithashtu dyshohet se ishte e falsifikuar.

Kartëmonedha është sekuestruar ndërsa me vendim të prokurorit rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Ndërsa në Hajvali, një ankues punëtorë i një pike shitjes së derivateve, ka informuar se ka hasur në një kartëmonedhë të dyshimtë të falsifikuar me vlerë të 20 eurove. Edhe kjo kartëmonedhë është sekuestruar ndërsa me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.