Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tre arrestime për posedim të narkotikëve në rajonin e Prishtinës

Policia e Kosovës, në tre raste, ka arrestuar tre persona për posedim të substancave narkotike të llojit mariuhanë.

Dy nga këto raste, kanë ndodhur në Fushë Kosovë, ndërsa një në Prishtinë. Paraditen e djeshme, në rrugën ‘Aziz Zhilivoda’ në Fushë Kosovë, gjatë kontrollit tek një i dyshuar, policia ka gjetur dhe sekuestruar substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë 14.73 gram.

Në raportin e Policisë thuhet se, i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të Prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Po ashtu në Fushë Kosovë, në rrugën ‘Nënë Tereza’ në orët e pasdites, është arrestuar një burrë tek i cili gjatë kontrollit është gjetur dhe konfiskuar 0.35 gram substancë e llojit marihuanë.

Edhe ky person i dyshuar, sipas policisë, me vendim të Prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Kurse, në mëngjesin e hershëm të ditës së sotme, afër rrethrrotullimit ‘te Flamuri’ në Prishtinë, gjatë një pike kontrolli, Policia ka ndalur një burrë të dyshuar dhe gjatë kontrollit në veturën e tij është gjetur marihaunë në sasi 1.6 gram dhe dy mbështjellëse.

Në raportin policor thuhet se, me vendim të Prokurorit pas intervistimit, edhe ky rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.