Trafiku Urban vazhdon qarkullimin me masat në fuqi, përkundër ftohjes së motit

Autobusët e Trafikut Urban tash e disa muaj janë duke qarkulluar me numër të limituar të udhëtarëve si masë mbrojtëse për përhapjen e pandemisë COVID-19.

Por me ftohjen e temperaturave edhe kërkesa për përdorim të trafikut urban është më e madhe.

PDK para disa ditësh propozoi që Trafiku Urban për katër muaj të jetë falas në mënyrë që të ketë më pak vetura në kryeqytet dhe rrjedhimisht edhe ndotje më të ulë të ajrit.

Një kërkese e tillë do paraqiste rrezik për grumbullim të qytetarëve në kohë të pandemisë.

Lulzim Rexhepaj, kryeshef ekzekutiv i NPL Trafiku urban për Kallxo.com ka thënë se qarkullimi është ende duke u bërë në bazë të masave në fuqi, kurse sa i përket mundësisë për shtim të autobusëve, Rexhepaj tha se janë 51 autobusë që i posedon ndërmarrja.

“Meqë vazhdon situata e pandemisë COVID-19 dhe vendimet e institucioneve qendrore e përcaktojnë kufizimin e numrit të udhëtarëve (të operohet me vetëm 50% të kapaciteteve) ne nuk mund të veprojmë ndryshe përveç se në këtë mënyrë si deri më tani duke i respektuar masat anti-COVID. Qarkullimi do të vazhdon nëpër linjat e njëjta duke i respektuar masat që janë në fuqi. Të gjitha kapacitetet tona janë të angazhuara në transportin publik. Autobusët janë të rinj dhe kemi mirëmbajtje të mirë teknike të tyre, andaj shumë pak orë humbim për arsye të defekteve teknike, kështu që në vazhdimësi janë në qarkullim 51 autobusë te rinj që i posedon ndërmarrja,” ka thënë Rexhepaj.

Sa i përket kërkesës së PDK-së, Rexhepaj ka thënë se ky vendim i takon Komunës së Prishtinës dhe nëse kjo e fundit pranon ta zbatojë ata janë të gatshëm për implementim.

“Ndërmarrja Publike Komunale Trafiku Urban, nuk marrim vendime por  vetëm i zbatojmë vendimet e Komunës së Prishtinës, andaj në rast se Komuna vendos që të zbatohet kërkesa e PDK-së, ne jemi të gatshëm për ta implementuar dhe do të qarkullojmë me të gjithë autobusët falas për qytetarë, sepse do te kompensohemi nga Komuna e Prishtinës,” ka shtuar tutje Rexhepaj.

Kallxo.com ka kontaktuar edhe me Miranda Mullafazliun nga zyra për informim në Komunën e Prishtinës lidhur me kërkesën e PDK-së, e cila tha se pritet të shihet nëse do ngritet si çështje në mbledhje të Kuvendit Komunal.

“Sot kemi mbledhjen e Kuvendit Komunal dhe pritet të shihet nëse do ngritet si çështje sepse nuk e dimë nëse PDK e ka dorëzuar si kërkesë këtë çështje,” është shprehur Mullafazliu.

Partia Demokratike e Kosovës në Prishtinë  ka propozuar që të ofrohet transport publik falas nga muaji nëntor deri në muajin mars në mënyrë që të ketë më pak vetura në kryeqytet dhe rrjedhimisht edhe ndotje më të vogël të ajrit.

Nënkryetari i PDK-së në Prishtinë, Ilirik Musliu, tha se propozimi është që kjo masë të vlejë për të gjitha linjat e trafikut urban dhe për të gjithë pa përjashtim me qëllim që të nxiten qytetarët që të shfrytëzojnë transportin publik e jo veturat private.

Ndotja e ajrit në Prishtinë, PDK propozon transport publik falas për 4 muaj