Foto: Komuna e Prishtinës, Trafiku Urban

"Trafiku Urban" në Prishtinë: 12 milionë udhëtarë gjatë vitit 2023

Ndërmarrja ‘’Trafiku Urban’’ i Prishtinës ka falënderuar 12 milionë udhëtarët që i kanë shfrytëzuar linjat e autobusit gjatë vitit 2023.

Sipas “Trafikut Urban”, ky numër i udhëtarëve është një rekord i ri për ndërmarrjen.

‘’Një rekord i ri për ndermarrjen tonë dhe një përgjegjësi për të gjithë ne, që gjatë vitit 2024 të angazhohemi për shërbime edhe më cilësore’’ – thuhet në faqen zyrtare të “Trafikut Urban”, në Facebook.

Gjatë këtij viti, “Trafiku Urban” ka realizuar disa reforma. Një ndër to është bileta ditore prej 80 centë, e cila mund të shfrytëzohet brenda 24 orëve në të gjitha linjat e autobusëve të kësaj ndërmarrjeje.

Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në korrik të këtij viti kishte njoftuar se me aplikimin e biletës ditore në sistemin e pagesës në “Trafikun Urban”, numri i udhëtarëve është rritur për 10 mijë.

Ndërsa, në shtator Rama kishte premtuar se shumë shpejt autobusët e “Trafikut Urban” do të pajisen me wi-fi dhe do të mund të bëjnë pagesën e biletës me SMS përmes operatorëve telefonikë ‘Vala’ dhe ‘Ipko’.

Pagesa e biletave me SMS është duke u zbatuar nga data 1 tetor e këtij viti, ku përmes disa numrave identifikues për biletën dhe tekstit se për cilën linjë duhet të jetë bileta, mund të bëhet pagesa e saj.