Foto: Komuna e Prishtinës, Trafiku Urban

Sahatçiu për reformat në Trafikun Urban: Me 80 cent në ditë, udhëto pa limit

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu ka njoftuar se më biletën ditore 80 cent të Trafikut Urban, qytetarët mund të udhëtojnë pa limit me linjat e kësaj ndërmarrje.

“Lëre veturën në shtëpi. Nise ditën sot me biletë ditore. Me vetëm 80 cent, bleje biletën ditore, ruaje atë dhe udhëto pafund sa herë që ke nevojë brenda 24 orëve në linjat e Trafiku Urban Prishtinë”- ka shkruar ajo.

Sipas saj, shumica e udhëtarëve që udhëtojnë në baza ditore përdorin dy herë në ditë Trafikun Urban dhe shpesh u është dashur të ndryshojnë linjën dhe paguajnë më shumë.

Me biletën ditore, sipas Sahatçiut, qytetarët do kursehen.

“Çdo ditë, shumica e 35,000 udhëtarëve ditor të Trafikut Urban përdorin autobusin dy herë brenda një dite (vajtje-ardhje). Për këto dy udhëtime, deri më 31 janar janë paguar 80 cent për dy bileta. Në rastin më të keq, nëse për të bërë një rrugë nga puna e deri në shtëpi dhe anasjelltas është dashur të ndryshohet linja, janë paguar edhe 80 cent të tjera për dy bileta shtesë. Tashmë me 80 cent të njëjta këta udhëtarë mund të enden pa limit në linja e pa shpenzuar shtesë në 24 orë- shtoi ajo.

Sahatçiu potencoi se nëse udhëtoni çdo ditë, kurseni me biletë mujore për 13.5 euro ose biletë javore për 4 euro.

Kurse, bileta një drejtimëshe është rritur nga 40 cent në 50 cent.

Bileta ditore vlen vetëm për linja të ndërmarrjes Trafiku Urban e jo edhe atyre të kompanive private. Trafiku Urban ka 51 autobusë në pronësi të tij dhe mbulon 8 linja (1, 1A, 3, 3B, 3C, 4, 7C dhe 15), bileta ditore nuk vlen për linjën 1A (Prishtinë- Aeroport).

Këtë vit ndërmarrjes pritet t’i shtohen edhe 31 autobusë të tjerë duke shtuar flotën në 81 autobusë.