Trafikim me armë, arrestohen pesë persona në Mitrovicë e Prishtinë, konfiskohen 20 kallashikovë

Një arsenal armësh janë sekuestruar nga Policia e Kosovës gjatë një bastisje që ka ndodhur në pesë lokacione gjatë ditës së djeshme nën dyshimet se persona të ndryshëm u përfshinë në veprën penale për trafikim me armë.

Një aksion i gjerë i Policisë së Kosovës nën urdhrat e Prokurorisë Speciale është në lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Mitrovicë Jugore.

Pesë persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të trafikimit me armë dhe pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal.

Armet e sekuestruara në aksionin e Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, Foto: PS

Prokuroria Speciale ka njoftuar se dje Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar në vazhdën e planeve operacione kanë realizuar aksion policor në pesë lokacione.

Pesë të arrestuarit po dyshohet si grup i rrezikshëm kriminal, kanë kryer veprat penale pjesëmarrje dhe organizim i grupit kriminal si dhe import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitje e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse.

Këtyre veprave penale u shtohet edhe ajo e mbajtjes në posedim të armëve pa leje.

Pesë të arrestuarit kanë inicialet, S. S., S. S., E. Xh., Sh. D. dhe Sh. J.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka sekuestruar, 20 kallashnikovë, 20 karikatorë të kallashnikovëve, dy automjete, gjashtë telefona dhe disa dokumente të cilat do të shpërbejnë për trajtim të mëtutjeshëm të rastit.

Me vendim të prokurorit kompetent pesë të dyshuarit e arrestuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, për të vazhduar me procedura të mëtejme ligjore.