Tomë Gashi: Nuk besoj që amerikanët do të negociojnë me Thaçin pas ngritjes së aktakuzës

Avokati Tomë Gashi thotë se nuk beson që autoritetet amerikane  do të negociojnë me Presidentin Thaçi pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij.

“Konsideroj se kjo nuk është një hakmarrje e Gjykatës Speciale  por aktakuza është publikuar që të dihet dhe tani përpos problemeve të tjera. Nuk e besoj që Hashim Thaçi si i akuzuar për krime të luftës do të paraqitet Washington me 27 qershor sepse nuk besoj që Administrata Amerikane do të diskutoj më dikë të akuzuar”, tha ai.

Avokati Tomë Gashi e ka vlerësuar si një lajm tejet të keq ngritjen e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

“Kjo është një situatë shumë e pafavorshme për ne sepse po akuzohet Presidenti i vendit dhe ish-krye parlamentari i Kosovës pavarësisht posteve që i kanë mbajtur në kohën e luftës, ky është një lajm i keq dhe simptomatik që vjen vetëm dy ditë para se Hashim Thaçi të nisej për takimet në  Washington me palën serbe”

Gashi vlerëson se publikimi i lajmit për ngritjen e aktakuzës nuk është dashur të bëhej bazuar në rregullat procedurale të  Gjykatës.

“Në bazë të rregullave procedurale të Gjykatës Speciale, ky njoftim nuk është dashur të bëhej pa u konfirmuar aktakuza përkundër arsyetimit që Hashim Thaçi e Kadri Veseli kanë dashur ta minojnë punën Gjykatës Speciale, përkundër që Hashim Thaçi e ka hisen e tij të presionit për themelimin e Gjykatës Speciale në gusht të vitit 2015, pastaj më 22 tetor 2017 është formuar një grup i deputetëve prej thuaja  që kanë dashur  anulojnë ligjin për Gjykatën Speciale”, tha Gashi

Avokati Gashi vlerëson po ashtu se publikimi i letrave të Thaçit lidhur me Gjykatën Speciale është një sinjal i keq.

“Po ashtu është e vërtetë simptomatike bërja publike e letrave që Hashim Thaçi tek Pompeu dhe përgjigja e tij e cila është bërë publike dhe që ai në mënyrë shumë të fshehur ka dashur që ta ndërprerë punën e gjykatës speciale duke përdorur edhe fjalë jo bash diplomatike se kinse “ kështu nuk janë marrë vesh”, tha Gashi.

Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi sot se ka ngritur aktakuzë ndaj Presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli.

Aktakuza do t’i nënshtrohet vlerësimit nga gjyqtari i procedurës paraprake.