Thaçi: Heshtja ndërkombëtare e ka amnistuar gjenocidin dhe spastrimin etnik të Serbisë në Kosovë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se heshtja ndërkombëtare karshi krimeve të kryera nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, e ka amnistuar gjenocidin.

“Për fat të keq ende nuk ka drejtësi as lokale e as të bashkësisë ndërkombëtare për këto krime, për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, kjo heshtje ndërkombëtare është heshtje që në një formë apo tjetrën e ka amnistu gjenocidin dhe spastrimin etnik të Serbisë në Kosovë, por nuk ka kohë dhe nuk do të ketë faktor që do të mund të amnistoj krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë”, ka thënë Thaçi

Gjatë vendosjes së kurorave të luleve tek monumenti ‘Heroinat’ Thaçi ka thënë që asnjëherë nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi ‘nuk ka paqe pa drejtësi, në këtë drejtim do të punojmë të gjithë së bashku’.

Thaçi tha se kontributi i gruas shqiptare ka qenë jetik dhe vendimtar për mobilizimin e njerëzve gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Ky nderim që sot i bëjmë është nderim për heroinat tona që dhanë gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, është vlerësim për punën e palodhur të tyre, e në të njëjtën kohë kujtojmë edhe dhunimet e mbi 20 mijë grave shqiptare nga shteti i Serbisë, kështu që edhe sot ky nderim është nderim në përkujtim shtetëror për dhunimet që kanë ndodhur nga shteti i Serbisë”, tha ai.

Amnistia e krimeve të luftës u bë temë diskutimi në Kosovë pas një deklarate të ish-drejtorit të Klan Kosovës, Baton Haxhiu, i cili kishte përmendur amnistinë si pjesë të marrëveshjes me Serbinë në kuadër të dialogut.

“I kemi tri elemente që duhet t’i ketë marrëveshja, e para është Gjykata Speciale dhe zhbërja e saj, e dyta ka të bëj me amnistinë, në të dy vendet, se pas 20 vjetëve s’kanë çka dënohen njerëzit dhe e treta është definimi i Veriut, çka duam me Veriun, nuk ka probleme tjera me marrëveshjen”, kishte thënë Baton Haxhiu para dy ditëve në një emision në televizionin T7.