Tërmeti në Turqi dhe Siri, shpresat për të mbijetuar po zbehen gjithnjë e më shumë

Në qytetin Kahramanmaras të goditur rëndë, shpëtimtarët po përpiqeshin të arrinin një gjyshe, nënë dhe vajzë, të gjitha nga një familje, të cilat dukej se i kishin mbijetuar tërmetit 7.8 ballë dhe pasgoditjes së 6 shkurtit që la të vrarë më shumë se 37,000 në Turqi dhe Siri.

Por të tjerët po përgatiteshin për reduktimin e pashmangshëm të operacioneve pasi temperaturat e ulëta i reduktuan shanset tashmë të pakta për të mbijetuar, me disa shpëtimtarë polakë që njoftuan se do të largoheshin të mërkurën.

Në qytetin e shkatërruar sirian të Alepos, shefi i ndihmës i OKB-së, Martin Griffiths tha se faza e shpëtimit “po i afrohej fundit”, me fokusin e kalimit te strehimi, ushqimi dhe shkollimi. Presidenti sirian Bashar al-Assad ka rënë dakord të lejojë më shumë ndihmë të OKB-së që të hyjë në vendin e shkatërruar nga lufta nga Turqia, thanë diplomatët të hënën vonë.

Mirëpo, ka ende një fije shprese. Një 13-vjeçar u nxorr i gjallë pasi kaloi 182 orë nën rrënojat e një ndërtese të shembur në provincën jugore të Hatay të Turqisë të hënën.

Një vajzë e re e quajtur Miray u gjet e gjallë në qytetin juglindor turk Adiyaman, thanë zyrtarët, ndërsa transmetuesi shtetëror TRT Haber tha se një vajzë 10-vjeçare u shpëtua në Kahramanmaras.

Të paktën dy fëmijë të tjerë dhe tre të rritur u raportuan gjithashtu se u shpëtuan.

Tri gjenerata të ngujuara

Në qytetin e Kahramanmaras, ekipet e shpëtimit thanë se kishin kontakte me një gjyshe, nënë dhe foshnjë të bllokuar në një dhomë në mbetjet e një ndërtese trekatëshe. Ekipet e shpëtimit po gërmonin një tunel të dytë për të arritur tek ata pasi u bllokua rruga e parë dhe u formua një zinxhir njerëzor për të nxjerrë ata nga aty.

“Kam një ndjenjë shumë të fortë se do t’ia dalim t’i shpëtojmë,” tha Burcu Baldauf, udhëheqësi i ekipit vullnetar turk të kujdesit shëndetësor. “Tashmë është një mrekulli. Pas shtatë ditësh, ata janë atje pa ujë, pa ushqim dhe në gjendje të mirë”.

Në të njëjtën rrugë, punonjësit e urgjencës mbuluan një trup në një qese të zezë. “Ky është vëllai ynë”, tha një grua e pikëlluar, ndërkohë që një tjetër vajton dhe bërtet, “jo, jo”.

Numri i viktimave turke tani e tejkalon shifrën prej 31,643 të cilët kishin mbetur të vrarë gjatë një tërmeti në vitin 1939, tha Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave, duke e bërë atë tërmetin më të keq në historinë moderne të Turqisë.

Numri total i të vdekurve në Siri, një komb i shkatërruar nga më shumë se një dekadë e luftës civile, ka arritur në 5,714, duke përfshirë edhe ata që vdiqën si në rajonet që janë nën kontrolin e forcave rebele ashtu edhe në zonat e kontrolluara nga qeveria.

Kjo është fatkeqësia e gjashtë më vdekjeprurëse natyrore këtë shekull, pas tërmetit të vitit 2005 që la të vrarë të paktën 73,000 në Pakistan.

Turqia përballet me një kosto prej 84 miliardë dollarësh, tha një grup biznesi. Ministri turk i Urbanizimit Murat Kurum tha se rreth 42,000 ndërtesa ose janë shembur, ose kanë nevojë urgjente për t’i rrëzuar ose janë dëmtuar rëndë në dhjetë qytete.

Dhjetra banorë i thanë Reuters se po përballen me për mungesën e ujit, ushqimit, ilaçeve, çantave të trupit dhe vinçave në zonën e katastrofës, duke e kritikuar një reagim tepër të ngadaltë dhe të centralizuar nga Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë ( AFAD).

Presidenti turk Tajip Erdogan, i cili po përballet me zgjedhjet e planifikuara që pritet të mbahen në qershor dhe të cilat pritet të jenë më të vështirat e dy dekadave të tij në pushtet, i pranoi problemet në reagimin fillestar, por tha se situata ishte tani nën kontroll.

Ndihma ndaj Sirisë

Tërmeti ka ngjallur pakënaqësi në mesin e disa turqve ndaj miliona refugjatëve sirianë që kanë ikur nga lufta civile e vendit të tyre vitet e fundit për t’u zhvendosur në Turqi. Sirianët thanë se ishin akuzuar për plaçkitje dhe ishin dëbuar nga kampet 

Veriperëndimi i Sirisë i kontrolluar nga rebelët ka marrë pak ndihmë. Një burim nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS), një grup islamik që kontrollon pjesën më të madhe të rajonit, i tha Reuters se grupi nuk do t’i lejojë dërgesat nga zonat e kontrolluara nga qeveria dhe ndihma do të vijë nga Turqia.

Assad ka rënë dakord të lejojë që tri pika kufitare të funksionojnë midis Turqisë dhe Sirisë për një periudhë tre mujore, tha shefi i ndihmës i OKB-së Martin Griffiths në një takim të Këshillit të Sigurimit me dyer të mbyllura të hënën, sipas diplomatëve. Deri më sot ka qenë vetëm një e hapur, e cila e ka ngadalësuar fluksin e ndihmës së nevojshme./Reuters

 

Përgatiti: Nuhi Shala