Tentuan të ndalojnë një person të kërkuar, lëndohen dy policë në Prishtinë

Dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore gjatë kohës sa ishin në detyrë, pasi kishin tentuar që të ndalojnë një person, i cili ka rezultuar si i kërkuar.

Policia e Kosovës ka njoftuar se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë, dje në orët e para të mëngjesit, rreth orës 02:05. 

“Njësiti policor ka ndaluar një automjet me ngasës, i cili pas verifikimit ka rezultuar në kërkim policor” – ka thënë Policia.

Tutje është thënë se i dyshuari ka tentuar të largohet me veturë nga vendi i ngjarjes me ç’rast pas marrjes së veprimeve për ta ndaluar atë, lëndime trupore kanë pësuar dy zyrtarët policorë.

“Zyrtarët policorë për këto lëndime kanë pranuar tretman mjekësor” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjithmonë duke iu referuar raportin policor, lidhur me rastin është njoftuar prokurori, i cili e ka udhëzuar që rasti të hetohet në procedurë të rregullt.