Tentuan të kontrabandojnë tekstil në Kosovë, kapen tre të dyshuar - FOTO

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, kanë parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra në brezin kufitar në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Sipas komunikatës së Policisë, është identifikuar një automjet i dyshuar me targa vendore, i cili dyshohet se përmes rrugëve malore nga RMV ishte duke sjellë mallra të kontrabanduara në drejtim të Gjilanit.

Automjeti i dyshuar është përcjellë deri tek automjeti i dytë i përfshirë në rast, i cili po priste ta pranonte mallin e lartcekur.

Gjatë kontrollit të realizuar në automjet është gjetur tekstil në disa thasë, kryesisht veshmbathje të ndryshme, në sasi prej gjithësej 617 copë, ku vlera e përgjithshme e mallit sipas tregut kap shifrat rreth 7,000 euro.

Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, me vendim të së cilës malli së bashku me automjetin dërgohen në terminalin doganor ‘Dheu i Bardhë’, ndërsa tre personat e dyshuar të përfshirë në rast janë liruar në procedurë të rregullt.