Tentim-grabitje e armatosur në Gjakovë, Policia arreston pesë të dyshuar

Dy ditë më parë në Gjakovë është raportuar një tentim-grabitje e armatosur, ndërkaq sot Policia ka arritur që t’i arrestojë pesë persona të dyshuar për këtë rast si dhe ka konfiskuar një armë.

Policia bën të ditur se rasti kishte ndodhur më 17 janar, rreth orës 18:30 në rrugën ”Ali Hasi“ në Gjakovë.

“Më, 18.01.2021 hetuesit policorë kanë arritur të identifikojnë të dyshuarit e mundshëm. Në konsultim me prokurorin e shtetit është hartuar një plan operativ dhe  sot më, 19.01.2021 është realizuar urdhër kontrolli,  ku janë kontrolluar pesë lokacione të ndryshme”, thuhet në komunikatë.

Arma e konfiskuar, Foto: PK

Sipas Policisë, të arrestuarit që dyshohet të jenë të përfshirë në tentim-grabitje janë: B.M. (viti i lindjes 1997), Q.G. (1997), S.P.  (1998), B.P.  (2000) dhe F.P  (2003), të gjithë shtetas të Kosovës.

“Kontrolli ka rezultuar në arrestimin e pesë personave të dyshuar, është konfiskuar arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale dhe me urdhër të prokurorit të shtetit të njëjtit janë ndaluar për 48 orë”, vijon njoftimi.

Policia thekson se hetuesit e stacionit policor Gjakovë janë duke analizuar provat e mbledhura dhe lidhshmërinë eventuale me veprat tjera të mundshme të kësaj natyre për të cilat dyshohet se mund të jenë të përfshirë të njëjtit persona.