Teatri Kombëtar sfidon COVID-19, jep shfaqjen me publik

Teatri Kombëtar i Kosovës  dje në mbrëmje ka dhënë premierën e shfaqjes “Zgjimi i pranverës” me publik, pavarësisht se institucionet shëndetësore në vend ende nuk kanë dhënë leje që teatrot të japin shfaqjet për publikun. 

Për gati dy orë publiku i pranishëm, ka përcjellë me vëmendje interpretimin e aktorëve duke mos i kursyer duartrokitjet.  

Shfaqja ““Zgjimi i pranverës” me regji të Zana Hoxhës, u dedikohet të gjithë të adoleshentëve të rënë në vitin 1998-1999, në luftën e fundit në Kosovë. 

Drejtues të TKK-së kishin thënë se shfaqja “Zgjimi i pranverës” do të jepet e mbyllur për shkak të Coronavirusit, vetëm në pranit të anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe të ndonjë artisti.

Por, të premten mbrëma (12.06.2020),  pothuajse gjysma e ulëseve të TKK-së ishin zënë nga publiku, ku në disa raste respektohej distanca sociale, e në disa jo. 

TKK kishte sigurua maska dhe dezinfektues duke ditur interesimin e publikut për shfaqjen, dhe grumbullimin e madhe të njerëzve para teatrit për shkak të shënimit të 15 vjetorit të LVV-së.  

Adrian Morina, ushtrues i detyrës së udhëheqësit artistik në TKK, ka thënë për KALLXO.com se teatri nuk ka bërë ftesë publike për shfaqjen dhe nuk ka mundur të ndalojë që publiku të mos hyjë në shfaqje. Por, ka thënë se TKK-ja është kujdesur që askush të mos hyjë pa maskë dhe pa u dezinfektuar dhe rekomandim për mbajtjen e distancës sociale.  

Megjithatë kjo ke një farë testi për premierë, e pamë se shfaqja u pëlqye nga publiku që ishte në shfaqje. Me vjen keq që nuk kemi mundur ta realizojmë ashtu siç duhet për arsye se shfaqja flet me disa gjenerata dhe arsyeja dhe që është përzgjedhur pikërisht me qëllim që të sjellë një auditor të ri në teatër, moshat 16 e lartë”, ka thënë ai. 

Sipas tij, kjo shfaqja do të shënoje rekord të shikueshmërisë, kur do të do të nisë të shfaqet pas krijimit të kushteve.  

Ai ka thënë se shfaqja e reprizave të “Zgjimit të pranverës” do të varet nga vendimet e institucioneve përgjegjëse për shkak të pandemisë.  

Përveç publikut shfaqja është vlerësuar edhe nga regjisorët dhe dramaturgët . 

Regjisori Fadil Hysaj tha për KALLXO.com se shfaqja “Zgjimi i pranverës solli një kontrast të skajshëm e të dhimbshëm, por të shpresës së një rruge të rëndë të brezave tanë të ri.

“Për më se një shekuj shqiptarët nuk kanë përjetua një riri të lumtur, dhe kjo mendoj se është një reminishencë jashtëzakonisht e vlefshme. Vetë muzika që është zgjedhur këtu, që i takon epokave të më hershme dhe në një farë mënyre krijon një lidhje të brezave dhe kjo është e bukura e kësaj shfaqje që mundohet me i lidh kohërat“, tha Hysaj. 

Ndërsa regjisorja Zana Hoxha tha se  jo rastësisht është zgjedhur 1  qershori për ta dhënë shfaqjen. 

 “Shfaqja u dedikohet 1150 adoleshentëve të cilët kanë humbur jetën gjatë luftës së Kosovës. Kjo është shfaqja ime e karrierës. Për mua kjo shfaqja është pak personale sepse flet për një kohë kur unë isha adoleshente dhe por edhe sepse një shoqe dhe dy shokën të mijë janë vrarë në luftë dhe eshtra e tyre ende nuk janë  gjetur”, ka thënë regjisorja Hoxha. 

Sipas saj, shfaqja është edhe një mesazh për prindërit të cilët, siç ka thënë ajo, kanë harruar se si është të jesh fëmijë.  

Shfaqja “Zgjimi i pranverës” me tekst të  Frank Wedekind, e adaptuar dhe e sjellë për publikun nga regjisorja Zana Hoxha flet për adoleshentët e viteve të 90’ta të shekullit të kaluar. 

Pjesët koreografike të shfaqjes janë përgatitur nga  Robert Nuha, ndërsa shfaqja është përcjellë me hitet muzikore e atyre viteve. Skenografia është bërë nga  Youliana Voykova – Najman  dhe ass:Elira Lluka, ndërsa kostumet nga Yllka Brada.

Në shfaqje luajnë: Hajat Toçilla, Valmir Krasniqi, Labinot Raci, Arta Muçaj, Shkëlzen Veseli, Semira Latifi, Shpetim Kastrati, Qëndresa Loki, Verona Koxha, Flamur Ahmeti, Armend Ballazhi.

Muzikantët: Alzan Gashi, Arbër Salihu & Drin Tashi.

Shfaqja ‘Zgjimii pranverës” është bashkëprodhim në mes të TKK-së dhe “Artpolis”.