Teatri Kombetar

foto; Denis Sllovinja

Antikorrupsion konstaton konfliktin e interesit të ish-udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar

Agjencia Kundër Korrupsionit e ka nxjerrë në konflikt interesi Adrian Morinën, aktor në trupën rezidente të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Sipas AKK-së, Morina ka kryer veprën e konfliktit të interesit sa ushtronte detyrën e udhëheqësit artistik të TKK-së.

Në vendimin e saj me numër protokollit; 06-02/2501/21, të datës 21.09.2021, AKK ka konstatuar se Morina ka kryer konfliktin kur ka propozuar në Këshillin Drejtues për inskenim tekstin e shfaqjes “La rremë kaçurrelja” (La Rremë), konkretisht propozimin që Kushtrim Koliqi të bëjë regjinë e kësaj shfaqjeje.

Vendimi i AKK-së është quajtur qesharak nga aktroi Adrian Morina, pasi ai thotë se nuk ka asnjë bazë për konflikt të interesit.

AKK e kishte nxjerrë në konflikt interesi edhe dy herë të tjera aktorin Morina.

Vendimi i AKK-së

AKK në vendimin e saj, konstaton se do të kërkojë fillimin e procedurës për kundërvajtje kundër Morinës nga gjykata kompetente.

Në arsyetim e vendimit, AKK potencon se Morina, veprën e konfliktit të interesit e ka kryer kur ka propozuar regjisorin Kushtrim Koliqi për të bërë regjinë e shfaqjes “La Rremë”’, (2020) pasi që veç se një vit më parë, Morina ishte angazhuar në shfaqjen e Koliqit “Unë jam vetë grua” (2019).

Sipas AKK-së, Morina në bazë të kompetencave ligjore në fillim të 2020, i ka propozuar Këshillit Drejtues të TKK-së për inskenim shfaqjen “La Rremë” me regjisor Kushtrim Koliqi, e cila edhe është miratuar nga KD-ja. Me këtë, sipas AKK-së, Morina ka vepruar në kundërshtim me nenin 9, paragrafi 1.8 të Ligjit nr. 06/L -011 për Parandalimin e konfliktit të interesit.

“Në këtë rast, z. Morina, ka pasur interes privat, lidhur me propozimin e tij për shfaqjen “La rremë Kaçurrelja” kjo për faktin se z. Morina dhe z. Koliqi kanë pasur bashkëpunim personal me interes financiar në raporte të ndërsjella, lidhur me shfaqjen ‘Unë jam vetë grua’, sipas kontratës të datës 07.10.2019”, thuhet në vendim.

Kundërshtimi i vendimit

Por, Adrian Morina, aktor rezident dhe ish- udhëheqës artistik në TKK ka thënë për KALLXO.com se nuk është çuditur nga ky vendim, përkundrazi, siç ka thënë ai është vendim qesharak sepse nuk ka asnjë bazë për konflikt të interesit.

“Por është në vazhdën e vendimeve që kjo agjenci ka lëshuar për konflikt interesi për të gjithë ish – udhëheqësit dhe ish- drejtorët e Teatrit Kombëtar si: Agim Sopi, Jeton Neziraj, Agon Miftari, Burbuqe Berisha, dhe në fund çdo gjë është sqaruar nga instancat tjera që nuk ka pasur kurrfarë shkelje apo konflikt interesi”, ka thënë Morina.

Morina ka thënë se udhëheqësi artistik nuk mund te marre vendime për programin, sepse vendimet përfundimtare në TKK merren vetëm nga KD-ja.

“Ashtu siç e kam thënë edhe në AKK, e po besoj që e dini edhe ju, Udhëheqësi artistik (në rastin tim aksidentalisht si ushtrues detyre), nuk mund të marrë vendime për programin, sepse vendimet përfundimtare në TKK merren vetëm nga Këshilli Drejtues, dhe në fund kontratat i nënshkruan drejtori i përgjithshëm. Më duhet të shtoj se gjatë takimit me zyrtarin që e ka lëshuar këtë vendim, e kam kuptuar se problemet më të mëdha në Kosovë që i trajton agjencioni anti korrupsion janë nga fusha e kulturës. Për mua është lajm shumë i mirë sepse kjo do të thotë se Kosova është vend i pa korruptueshëm”, ka thënë ai.

Ndërkaq, të kontaktuar nga KALLXO.com drejtues të KD-së së TKK-së kanë thënë se Këshilli nuk ka pranuar asnjë vendim zyrtar të AKK-ja.

“Sidoqoftë, informata juaj lë të kuptohet se kjo çështje do të trajtohet në nivele tjera. Thëne këtë, Këshilli aktual Drejtues i Teatrit Kombëtar nuk është në pozitë që parakohshëm të komentojë apo ndërmarrë veprime për rastin në fjalë”, ka thënë Rebeka Qena, kryetar e KD-së së TKK-së.

S’ka më bakshishe me role për veten e shokët – gjykata urdhëron TKK-në të hartojë rregullore për ndarjen e roleve