Burimi Kallxo.com

Me ose pa publik, të premten jepet premiera e radhës në Teatrin Kombëtar

Me ose pa publik më 12 qershor,  Teatri i Kombëtar i Kosovës planifikon të japë premierën e radhës, “Zgjimi i pranverës”, me regji të Zana Hoxhës. 

Drejtues të Teatrit Kombëtar nuk kanë marrë ndonjë njoftim nga Qeveria e Kosovës nëse mund të hapin dyert për publikun, edhe pse nga e diela janë hequr të gjitha kufizimet e lëvizjes të vendosura për mbrojtje nga COVID-19. 

Menaxhmenti i TKK-së ka vendosur që të premten e ardhshme, më 12 qershor 2020, të shfaqë premierën e shfaqjes Zgjimi i pranverës”, me regji të Zana Hoxhes, një bashkëprodhim në mes të TKK-së dhe “Artpolis”. 

Adrian Morina, ushtrues i detyrës së udhëheqësit artistik në TKK ka thënë për KALLXO.com se teatri nuk ka marrë ndonjë njoftim nëse do të lejohen shfaqjet teatrale për publikun, pasi qeveria nga dje hoqi të gjitha masat që ishin marrë për mbrojtje nga COVID-19. 

“Ne premierën do ta mbajmë qoftë edhe të mbyllur veç me aktorë, ata duhet të lirohen nga obligimet që i kanë. Nga muaji shkurt kanë nisur provat. Edhe me Këshill kemi marrë vendim që me shfaq premierën në çfarëdo opsioni, eventualisht ka gjasa që premieratransmetohet live në TV”, ka thënë ai. 

Morina ka thënë se për të rinisur shfaqjet për publikun, TKK-ja ka bërë edhe një plan për t’ju përshtatur rekomandimeve të institucioneve për ta parandaluar COVID-19. 

”Ne e kemi bërë një plan rreth ulëseve që mund të shfrytëzohen, pasi nuk ka nevojë më shumë se 1/3 ulëseve, pra 110 veta, çdo e katra ulëse me qenë në dispozicion, shpresoj se sa më shpejt të kemi ndonjë njoftim. Por,  ne nuk do të rrezikojmë të fusim publik pa marrë leje nga organet përkatëse’’, ka thënë Morina. 

Edhe Fisnik Ademi, kryetar  Këshillit Drejtues të TKK-së ka konfirmuar për KALLXO.com se premiera e radhës e Teatri Kombëtar planifikohet të shfaqet me rastin e festës së Çlirimit të Prishtinës. 

Ai ka thënë se janë  marrë gjitha masat për fillimin e aktiviteteve duke respektuar rekomandimet e institucioneve shëndetësore. 

Menaxhmenti i TKK- ka përgatitur edhe udhëzuesin për rifillimin e punëve sipas kërkesave institucioneve shëndetësore”, ka hënë ai. 

Faza e tretë e hapjes filloi 1 qershor, por me rekomandim Institutit Kombëtar Shëndetit Publik, rihapja e teatrove dhe kinemave është shtyrë për një kohë pacaktuar. 

 “Teatrot dhe kinematë, pavarësisht se ka qenë e planifikuar të hapën në fazën e tretë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, në bazë edhe të disa studimeve të fundit që kanë ardhur dhe rekomandimeve nga organizatave prestigjioze shëndetësore në botë, ka rekomanduara që hapja të shtyhet për një kohë të pacaktuar, pasi ka ende rrezik grumbullimi i njerëzve në hapësirat të mbyllura”, pat deklaruar ish – ministri i Shëndetësisë, Arben  Vitia, në prag të hapjes së fazës së tretët të masave lehtësuese që nisën në fillim të këtij muaji. 

Për dy muaj pandërprerë gjatë pandemisë, teatrot e Kosovës ofruan shfaqje teatrore online përmes Facebookut. 

Për shkak të rrezikut dhe përhapjes së shpejt të coronavirusit nga 12 marsi i këtij viti u pezulluan të gjitha aktivitetet kulturore, duke përfshirë edhe teatrot. Por, nga 18 maj nisi rihapja graduale e kulturës me hapjen e muzeve dhe galerive.