Asgjësimi i lopëve të infektuara, Foto: Afrim Ejupi

Të sëmura me brucelozë, asgjësohen 33 lopët e një fermeri nga Mikushnica e Skenderajt

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka asgjësuar sot 33 lopët e një fermeri nga Mikushnica e Skenderajt.

Asgjësimi ka ndodhur pasi 23 lopë ishin të sëmura me sëmundjen e brucelozës.

Sipas ligjeve në fuqi, kur shumica e kafshëve janë të sëmura me brucelozë atëherë asgjësohen të gjitha.

KALLXO.com e ka vizituar fermën e cila është shpallur zonë e infektuar nga AUV dhe ka pasur ekipe të inspektorëve veterinarë të AUV të cilët kanë qenë të thirrur për ta realizuar këtë asgjësim.

Kafshët janë asgjësuar në një lokacion rreth 1 kilometër larg fermës.

Zgjedhja e këtij lokacioni nuk ka paraqitur problem.

Disa ditë më herët është raportuar se në dy lokacione të mëparshme nuk ka qenë e mundur të groposen kafshët për shkak se ka pasur rezistencë nga banorët e lokaliteteve.

“Ne si komunë kemi bërë përpjekje më tepër se dy javë për me gjetë një lokacion. Më herët i kemi gjetë dy lokacione por kemi hasur në rezistencë të banorëve” – ka deklaruar për KALLXO.com drejtori i Inspektoratit në Skenderaj, Valon Haliti.

Haliti ka sqaruar se pse banorët e dy fshatrave, Kotorr dhe Ozdrim, ku ishte menduar të groposeshin kafshët, kishin bërë rezistencë.

“Banorët kanë qenë të shqetësuar se mund të ketë ndotje të puseve të ujit të pijes dhe kanë menduar se do të përhapej kjo sëmundje” – ka theksuar ai.

Kurse, për banorët përreth lokacionit të përzgjedhur, Haliti tha se kanë komunikuar me banorët dhe nuk kanë pasur ndonjë shqetësim.

Sipas Halitit, Komunës së Skenderajt i vjen keq për familjen që i ka ndodhur ky rast dhe mendon që institucionet vendore duhet ta ndihmojnë.

Në anën tjetër, Lamir Thaçi, zëdhënës i AUV, ka shpjeguar se në njërin nga lokacionet e mëparshme madje kanë hapur gropë, mirëpo janë detyruar ta mbyllin atë dhe të tërhiqen për shkak të rezistencës së banorëve.

Sipas Thaçit, ky është një nga rastet ku 50% e fermës është e infektuar dhe duhet të asgjësohen të gjitha kafshët dhe jo vetëm ato që janë të infektuara.

“Ne përsëri do ta mbajmë fermën të monitoruar dhe do t’i jepen afatet kohore se pas cilës datë mund të bëhet ripopullimi i saj. Deri në këtë kohë gjithmonë do të jetë në mbikëqyrje dhe monitorim nga inspektorët e AUV-së, sepse ne jemi të interesuar që pas afateve kohore do të kryhet edhe një inspektim” – ka theksuar Thaçi.

Ai ka shtuar po ashtu se pas asgjësimit do të bëhet një dezinfektim i fermës dhe pajisjeve tjera përreth dhe pastaj inspektorët do të bëjnë një vlerësim se kur ferma mund të ripopullohet.

Thaçi uron që komunat e tjera t’i kenë të gatshme lokacionet ku mund ta bëjnë asgjësimin e kafshëve të cilat në të ardhmen mund të infektohen.

Inspektori veterinar nga AUV, regjioni i Mitrovicës, Shkumbin Osmani ka shpjeguar sëmundjen e brucelozës, e cila sipas tij është sëmundje e transmetueshme prej kafshëve te njeriu.

“Simptomat e kafshëve, fatkeqësisht mungojnë përveç shenjave të abortit, mirëpo në disa raste edhe ato shenja mungojnë. Diagnoza realizohet vetëm përmes testeve serologjike që u merren kafshëve edhe dërgohen në laborator” – është shprehur Osmani për KALLXO.com.

Veterinerët e AUV në regjionin e Skenderajt kanë dyshuar për shkak të aborteve të këtyre kafshëve dhe më pas këto kafshë kanë dalë pozitivë me sëmundjen e brucelozës.

“Vendi do të gëlqeroset pas asgjësimit të kafshëve, do të mbulohet dhe nuk paraqet asnjë rrezik as për botën shtazore, as atë humane” – ka theksuar ai.

Në lidhje me këtë rast, nga familja – pronare e fermës, kanë thënë për KALLXO.com se ka familjarë që kanë rezultuar pozitiv me këtë sëmundje.

Për asgjësimin e këtyre kafshëve kishte reaguar më 6 tetor kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura.

Nura kishte zgjedhur profilin e tij në Facebook si formë të komunikimit me AUV, pasi sipas tij nuk kishte mbetur rrugë tjetër për të komunikuar dhe për t’i bërë thirrje AUV-it që t’i asgjësojnë këto kafshë.

Më pas, AUV ka reaguar duke përmendur faktin se kanë hasur në vështirësi për hapjen e gropës për t’i varrosur kafshët që duhej të asgjësoheshin.