Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Targat e kthimi i serbëve në institucione, AAK prezanton rezolutë në Kuvend - VIDEO

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj mori fjalën si iniciues i interpelancës së kryeministrit Albin Kurti për çështjen e masave të Qeverisë për situatën e krijuar në vend.

Haradinaj e ka cilësuar situatën politike si më të rëndat në 23 vitet e fundit dhe sipas tij veprimet e institucioneve nuk kanë qenë në përputhje me situatën e krijuar.

“Situata politike dhe e sigurisë në Kosovë është ndër më të rëndat në këto 23 vjet. Për fat të keq edhe veprimet e institucioneve nuk kanë qenë në përputhje me situatën e krijuar. Kryeministri i vendit në vend që të përfillë kërkesën e ndërkombëtarëve ka nisur implementimin e vendimit me faza për t’i dhënë mundësinë Serbisë që të shpallet si viktimë”- tha Haradinaj.

Kreu i AAK-së para deputetëve prezantoi një rezolutë, për të cilën ai sqaroi se rezoluta dhe kërkesa për interpelancë kanë qenë para vendimit të fundit të Qeverisë.

Përmes kësaj rezolute AAK-ja ka kërkuar nisjen e dialogut nga institucionet e Kosovës për t’i kthyer serbët e Kosovës në institucione.

“Kjo kërkesë për interpelancë ka qenë para vendimit të fundit të Qeverisë për shtyrje të vendimit për gjoba për targat dhe ishte për kohën e tensionuar në veri. Tani mund të konstatojmë se për pikën e parë ka një zhvillim edhe pse nuk është ai që do ti bënte nder Kosovës pra pranimi me kohë i kërkesës amerikane për shtyrje por tri pikat tjera qëndrojnë dhe i bëjnë nder Kosovës”- është shprehur Haradinaj.

“Në disa situata Qeveria duhet të merr përkrahjen e Parlamentit. Në rastin e situatave të ndieshme të sigurisë është me interes që të gjitha institucionet të marrin mendimin e parlamentit por edhe përkrahjen”- shtoi ai.

Këto janë pikat e rezolutës së prezantuar nga AAK-ja:

  1. Qeveria e Kosovës të marrë vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targat deri në marrëveshje finale;
  2. Institucionet e Kosovës, Presidenca, Kuvendi, Qeveria e Kosovës të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për tu kthyer në institucione të Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë;
  3. Qeveria të nisë me komunikim intensiv me faktorët më relevantë në vend duke përfshirë edhe opozitën, jo vetëm si reflektim i gjendjes së krijuar por edhe si nevojë e gjetjes së rrugëdaljes nga situata e krijuar;
  4. Kërkohet një samit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pra takim disa ditor deri në përmbylljen e marrëveshjes finale për njohje Kosovë-Serbi .

Kryeministri Kurti sot është përballë deputetëve, në interpelancën e ftuar për “masat urgjente të Qeverisë në raport me situatën e krijuar në vend”.

Interpelanca është ftuar nga opozita pas situatës së krijuar në veri, për shkak të targave ilegale të lëshuara nga Serbia.

Javën e kaluar u arrit  një dakordim për çështjen e targave mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas kësaj marrëveshje, Serbia do ndalojë lëshimin e targave për qytetet e Kosovës, derisa Kosova do ndërpresë veprimet në lidhje me riregjistrim të automjeteve.