Tanket përendimore për Ukrainën e kanë ndryshuar ekuilibrin e fuqisë në Evropë

Vendet më të vogla i detyruan fuqitë më të mëdha të NATO-s t’i japin Ukrainës armatimet që i nevojiten.

Kur qeveritë gjermane dhe amerikane më në fund ranë dakord këtë javë për ta furnizuar Ukrainën me disa nga tanket e tyre më të frikshme për fushëbetejë, balanca e fuqisë brenda Evropës ndryshoi qartësisht. Për muaj të tërë, presidenti Joe Biden dhe kancelari gjerman Olaf Scholz, nga frika e një përshkallëzimi të konfliktit midis Perëndimit dhe Rusisë, i kishin vonuar me kokëfortësi kërkesat e Ukrainës për automjete të fuqishme, shumë të manovrueshme dhe shtetet evropiane më të cenueshme nga agresioni rus – në Skandinavi, rajoni i Baltikut dhe Evropa Qendrore dhe Lindore – ishin bërë gjithnjë e më të frustruara me Uashingtonin dhe Berlinin. Më në fund, shteteve më të vogla gjithçka u kishte ardhur te hunda. Në një shfaqje mbresëlënëse të forcës diplomatike, ato i detyruan dy fuqitë më të mëdha të NATO-s të ndërmarrin një hap të cilin Biden dhe veçanërisht Scholz kanë pasur frikë ta ndërmarrin.

Episodi që pasoi ishte një kujtesë se një aleance sigurie nuk është vetëm një mjet për fuqitë e mëdha, si SHBA-ja apo Gjermania, për ta përforcuar ndikimin e tyre duke u mbështetur në forcat e kombeve më të vogla. Në këtë rast, disa nga anëtarët dhe partnerët më të vegjël të NATO-s e kuptojnë kërcënimin rus shumë më qartë se sa SHBA-ja apo Gjermania, sepse ata nuk e kanë opsionin e vetëkënaqësisë.

Që nga fillimi i luftës, Gjermania dhe SHBA-ja janë përpjekur t’i japin Ukrainës ndihmë të mjaftueshme ushtarake për të qenë më e suksesshme në fushëbetejë, por jo aq sa ukrainasit të mund t’i dëbojnë forcat ruse nga e gjithë Ukraina e pushtuar, duke përfshirë zonat që Rusia i pushtoi në vitin 2014. Uashingtoni dhe Berlini kanë vazhduar të dërgojnë të njëjtat sinjale të përziera: Rusia nuk mund ta fitojë luftën dhe Ukraina nuk mund të lejohet të humbasë, por në fund, mbrojtësit duhet të bëjnë disa koncesione të rëndësishme për pushtuesit për të siguruar një marrëveshje paqeje.

Ky mesazh ka tingëlluar gjithnjë e më shumë në kundërshtim me shtetet në veri dhe lindje të Gjermanisë. Sa më gjatë të ketë vazhduar lufta dhe sa më groteske të jenë krimet dhe shkatërrimet që qeveria ruse ka qenë e gatshme t’i kryejë kundër fqinjit të saj dhe gjoja “vëllait të vogël”, Ukrainës, aq më shumë këto shtete janë bindur se Rusisë jo vetëm që duhet t’i mohohet një fitore, por edhe të mposhtet plotësisht. Gjatë shekullit të 20-të, Estonia, Letonia dhe Lituania u inkorporuan në Bashkimin Sovjetik kundër vullnetit të tyre. Polonia, Republika Çeke dhe Sllovakia u sunduan si vasalë sovjetikë gjatë Luftës së Ftohtë. Udhëheqësit e këtyre vendeve e kuptojnë instinktivisht kërcënimin e imperializmit rus dhe e marrin retorikën e Moskës për zgjerimin dhe madhështinë kombëtare si kërcënim që është. Ata duan të shohin fuqinë ruse të thyer.

Katër vende nordike – Finlanda, Suedia, Danimarka dhe Norvegjia – të gjitha i kanë arsyet e tyre të mirëvërtetuara për shqetësimin që vije nga Rusia. Pas Luftës së Dytë Botërore, Finlanda dhe Suedia zgjodhën (ose u ndjenë të detyruara të zgjidhnin) një qëndrim neutral në Luftën e Ftohtë, duke qëndruar jashtë NATO-s dhe duke shpresuar se, në këmbim, Moska do ta respektonte pavarësinë e tyre. Norvegjia ndan në mënyrë të pakëndshme një kufi me Rusinë. Danimarkës, e cila kontrollon hyrjen në Detin Baltik, i është dashur prej kohësh të përballet me praninë e forcës ushtarake ruse.

Kur të gjitha këto shtete e panë me sa lehtësi dhe me çfarë brutaliteti Vladimir Putin e shpërfilli librin e rregullave të pas 1945-ës, duke nisur një luftë të panevojshme të zgjerimit kombëtar ndërkohë që e diskutonte hapur gjenocidin kulturor të një populli tjetër, frenimet e tyre të vjetra nuk u bën të vlefshme edhe më tej.

Finlanda mund të jetë anëtari më i spikatur i këtij koalicioni të ri. Për dekada të tëra, Helsinki e ka shmangur me shumë sukses të bëjë ndonjë gjë për t’a ofenduar Bashkimin Sovjetik, deri në pikën që Finlandizimi u bë stenografi kur një vend më i vogël pranon pjesërisht një fuqi më të madhe me shpresën për t’i shmangur ndërhyrjet e tepërta në punët e veta të brendshme. Megjithatë, sapo Putin urdhëroi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, qeveria finlandeze reagoi me shpejtësi. Aplikoi shpejt për anëtarësim në NATO-i cili është pothuajse i sigurt se do të jipet, pavarësisht nga qëndrimi i fundit i qeverive turke dhe hungareze. Nga të gjithë liderët botërorë, kryeministrja finlandeze Sanna Marin e ka shprehur nevojën për t’iu kundërvënë më troç kërcënimit rus. Ajo ka shprehur keqardhje për dobësinë e Bashkimit Evropian në kundërshtimin e veprimeve ruse në Ukrainë që nga viti 2014 dhe ka deklaruar se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do ta kishte parandaluar krizën aktuale. Ajo ka bërë thirrje hapur për humbjen e Rusisë, duke thënë se tërheqja e saj nga territori ukrainas është “rruga për të dalë nga konflikti”. Pa hezituar, ajo kohët e fundit e lidhi sigurinë e vendit të saj me atë të Ukrainës. “Ne nuk e dimë se kur do të përfundojë lufta, por duhet të sigurohemi që ukrainasit do të fitojnë”, ka thënë Marin. “Nuk mendoj se ka zgjidhje tjetër. Nëse Rusia do ta fitonte luftën, atëherë ne do të shihnim vetëm dekada të këtij lloj sjelljeje përpara nesh”.

Ndjenja të ngjashme po vijnë nga Varshava, Talini, Stokholmi dhe kryeqytete të tjera në Evropën Lindore dhe Veriore. Sido që të jetë, pozitat e këtyre qeverive janë forcuar. Shtetet baltike, të cilat e kanë dhënë vazhdimisht përqindjen më të madhe të buxheteve të tyre të mbrojtjes për ta ndihmuar Ukrainën, bashkëpunuan për ta bindur Gjermaninë që t’i japë Ukrainës tanket e saj të avancuara Leopard. Suedia, ndoshta më e çuditshmja, e rriti ndjeshëm presionin me një zotim për t’u dhënë ukrainasve sistemin e tyre të artilerisë Archer.

Për një kohë, SHBA dhe Gjermania refuzuan të lëviznin në këtë drejtim. Administrata e Biden premtoi një numër të madh automjetesh luftarake, duke përfshirë transportuesit e blinduar të personelit Bradley, por jo edhe tankun e fushëbetejës Abrams. Berlini u dorëzua dhe lëvizi hapur në këtë drejtim madje duke krijuar kushte të reja dhe të papritura për transferimin e Leopardëve në Ukrainë nga qeveritë aleate. Ndërkohë që shtetet e NATO-s takoheshin në bazën ajrore Ramstein në Gjermani në fund të javës së kaluar për të diskutuar paketat e tyre të fundit të ndihmës për Ukrainën, qeveria e Scholz-it këmbëngulte se nuk mund t’i jepte Leopardë Ukrainës derisa SHBA-ja të ofronte për herë të parë tanket e veta luftarake. Ky pozicion e krijoi përshtypjen në shumë qarqe se Berlini ende donte dëshpërimisht t’i mbronte marrëdhëniet e tij me Moskën.

Mirëpo vendet e tjera evropiane thjesht nuk donin të dorëzoheshin. Në atë që u bë e njohur si Betimi i Talinit, Mbretëria e Bashkuar dhe Holanda iu bashkuan shteteve të NATO-s në Evropën Lindore dhe Skandinavi duke bërë thirrje që forcat ruse të dëbohen nga i gjithë territori ukrainas, përfshirë Krimenë dhe zona të tjera të pushtuara para 24 shkurtit të vitit të kaluar. Si një lider i përhershëm në koalicionin anti-rus, Polonia i kërkoi zyrtarisht Gjermanisë që ta lejonte të dërgonte Leopardët e saj në Ukrainë, dhe shtetet e tjera diskutuan ta bënin këtë edhe pa kërkuar leje.

Përballë kësaj revolte të hapur, SHBA-ja dhe Gjermania më në fund u dorëzuan. Përveç plotësimit të kërkesave të vendeve të tjera, Gjermania filloi të planifikonte transferimin e drejtpërdrejtë të tankeve të saj. Më pas, Biden ofroi publikisht 31 tanke Abrams. Shtetet e tjera evropiane, duke përfshirë Portugalinë dhe Spanjën, u grumbulluan menjëherë me oferta për më shumë tanke.

Një forcë e re është shfaqur në Evropë. Duke i pranuar kërkesat e aleatëve të tyre më të vegjël, Gjermania dhe SHBA-të po e njohin me vonesë një ndryshim të ngadaltë por të pamëshirshëm në qasjen perëndimore ndaj Rusisë – e cila po përcaktohet jo në Uashington apo Berlin, por në kryeqytetet e vendeve që, deri vonë, janë parë si partnerë të vegjël. Për më tepër, këta shtytës të rinj të strategjisë evropiane të sigurisë nuk kanë gjasa të qetësohen. Këto vende janë ndër ekonomitë më të pasura dhe me rritjen më të shpejtë në Evropë dhe kanë disa nga ushtritë më të pajisura të kontinentit evropian. Për më tepër, këto vende do ta kenë gjithmonë Rusinë afër dhe vetëm ky realitet do t’i mbajë të ato fokusuara./The Atlantic

Phillips Payson O’Brien është profesor i studimeve strategjike në Universitetin e St. Andrews në Skoci. Është autor i librit “Si u fitua lufta: Fuqia Ajrore-Detare dhe Fitorja e Aleatëve në Luftën e Dytë Botërore”.

 

Përgatiti: Nuhi Shala