Takohen Kurti e Haradinaj, bisedojnë për vizitën e Thaçit në ShBA

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sonte me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Takimi Kurti-Haradinaj është zhvilluar në mbrëmjen e organizuar me rastin e Festës Kombëtare të Bullgarisë.

KALLXO.com merr vesh se një nga temat e diskutimit mes Kurtit dhe Haradinajt ka qenë edhe vizita e presidentit Hashim Thaçi në Shtetet e Bashkuara dhe kërkesa e tij për të raportuar në Kuvend, para deputetëve dhe anëtarëve të Qeverisë, për përmbajtjen e takimeve që ka zhvilluar ai në Washington.

Gjatë qëndrimit në ShBA, presidenti Thaçi është takuar me zyrtarët më të lartë shtetërorë amerikanë.

Dje ai ka qenë pjesë e një takimi të organizuar në Shtëpinë e Bardhë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Thaçi, pas këtij takimi të organizuar nga i deleguari i posaçëm i presidentit Trump, ambasadori Richard Grenell, ka thënë se porsa të kthehet në Kosovë do të kërkojë një seancë të Kuvendit për të treguar për ato që ka biseduar në takimin me Vuçiqin por edhe me zyrtarët amerikanë.