Takimi në Bruksel për çështjen e dinarit, ende s’dihet se kush do të marrë pjesë nga Kosova

Një takim në Bruksel mes kryenegociatorëve të dialogut Kosovë-Serbi, do duhej t’i paraprinte takimit të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Kështu të paktën paralajmëroi zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano më 21.02.2024 në një përgjigje për Kallxo.com. Por një ditë më pas, më 22.02.2024, Stano tha se palët janë ftuar në Bruksel më 27 shkurt për të diskutuar për dinarin, duke ua lënë në dorë që të vendosin se kush do t’i përfaqësojë.

Klisman Kadiu, këshilltar politik i kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se do të njoftojnë me kohë se kush do të jetë pjesëmarrës në takimin e thirrur nga BE-ja javën e ardhshme, por ka përjashtuar mundësinë që Bislimi apo dikush tjetër nga ekipi negociator vendës të marrë pjesë në një takim ku flitet për dinarin.

Ndërkaq, Stano, në përgjigjen për Kallxo.com më 21.02.2024, ka theksuar se takimet e nivelit të lartë zakonisht paraprihen nga takimi ose takimet e Kryenegociatorëve, të cilët përgatisin terrenin për përcaktimin e agjendës dhe marrëveshjeve apo progresit të mundshëm.

“Në këtë fazë nuk kemi asnjë njoftim për të bërë rreth datës së takimit të radhës të nivelit të lartë”- është shprehur Stano.

Në një deklaratë për media, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi më 21.02.2024, e pranoi se ka një kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim nga java e ardhshme për çështjen dinarit, por tha se personalisht nuk merr pjesë.

“Ka një kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim nga java e ardhshme për çështjen e rregullimit të transferit nga Serbia për në Kosovë, por ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori, për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut. Unë shkoj atëherë kur diskutohet për marrëveshjen bazike, kështu që do shohim se kush mund të shkojë të bisedojë për dinarin, por që nuk është nga ekipi i kryenegociatorit”- është shprehur Bislimi.

Një ditë më pas, Stano konfirmoi se BE-ja i kishte ftuar Kosovën dhe Serbinë për të biseduar për çështjen e dinarit në një takim që parashihej të zhvillohej më 27 shkurt.

Ai tha se ftesa e dërguar nga emisari Lajçak, nuk kishte specifikuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën e kush Serbinë, por se kjo u ishte lënë palëve të vendosin.

“Zakonisht, ne nuk i komentojmë shkëmbimet me partnerët tanë. Megjithatë, ftesa përmes letrës nga i dërguari i posaçëm Lajçak nuk kishte specifikuar se kush duhet të përfaqësojë Kosovën dhe kush Serbinë, kjo u ishte lënë palëve të vendosin”- ka sqaruar Stano, raporton REL.

Stano, gjithnjë sipas REL-it, ka shpjeguar se ftesa u bë pas takimeve ndarëse që përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, kishte me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Munih të Gjermanisë javën e shkuar, e ku u diskutua edhe çështja e dinarit.

Takimi i fundit deri më tani në kuadër të dialogut, mes Kurtit dhe Vuçiqit me ndërmjetësim të BE-së, u mbajt më 14 shtator 2023.

Kurti pati deklaruar se në këtë takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka propozuar një udhërrëfyes të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit të 27 shkurtit dhe të aneksit të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, të 18 marsit.

Ai pati thënë se takimi nuk ka pasur rezultat pasi pala serbe nuk ka pasur ndonjë propozim por ka paraqitur një dokument të vjetër së paku gjashtë muaj, që sipas Kurtit është kushtëzim i Serbisë që njëherë të zbatohet Asociacioni e më pas zbatimi i marrëveshjeve tjera.

Kosova dhe Serbia janë në proces të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011. Që nga viti 2021, procesi i dialogut nga Kosova udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Palët, përgjatë kësaj periudhe kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.