Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri: Qeveria nuk ka guxim të ballafaqohet me të vërtetën, qytetarëve po u bëhet padrejtësi e madhe

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se si opozitë janë bashkuar sot që të kërkojnë sqarim dhe të ballafaqohen në lidhje me çështjen e teksteve shkollore.

Ai në seancën e jashtëzakonshme tha se beson se është bërë një padrejtësi e madhe, qytetarëve të vendit.

“Si opozitë jemi bashku për me kërku sqarim, njëkohësisht për me kërku një ballafaqim të së vërtetes, mes neve si thirrës të kësaj seance që besojmë se është bërë një padrejtësi e madhe te një numër i madh i qytetarëve të Kosovës, në raport me obligimin ligjor që kjo Qeveri e ka me i siguru tekstet mësimore”- deklaroi Tahiri.

Tahiri theksoi se kjo qeveri nuk ka guxim për t`u ballafaquar me të vërtetën.

“Mungesa e guximit [të Qeverisë] për t`u ballafaquar me të vërtetën. E vërteta është se kudo në secilin sektor që kjo qeveri dhe ky kryeministër ka prek aty ka qenë dështim. Ne kemi dashtë veq me u ballafaqu, me i bo disa pyetje”- shtoi ai.

Deputeti i AAK-së, tha se pozita ka qasje arbitrare dhe autoritare, e cila sipas tij është verbëruar në gërzhojën e mendimit politik të LVV-së.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë sot në seancën e thirrur nga opozita për të diskutuar lidhur me librat shkollor.

Në anën tjetër, procesi i sivjetmë i pajisjes së nxënësve me tekste shkollore ka hasur në kritika të shumta.

Për dallim nga vitet e kaluar, prindërit është dashur që vet t’i blejnë librat shkollorë për fëmijët e tyre.

Qeveria e Kosovës ka subvencionuar prindërit për blerjen e librave shkollorë, në shumë prej 80 eurove për fëmijët nga klasa 1-5, për libra dhe mjeteve shkollore, ndërsa nga 30 euro për fëmijët nga klasa 6-9 për blerje të materialeve shkollore.

Për të përfituar subvencionimi, prindërit duhet të aplikojnë përmes platformës e- Kosova.