Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tahiri: Kurti po bën përpjekje të bëjë reciprocitet në çështje specifike, po e anashkalon atë të plotin

Shefi i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Ksoovës, Abelard Tahiri, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po bën përpjekje të bëjë reciprocitet në çështje specifike duke e anashkaluar reciprocitetin e plotë.

Tahiri ka përmendur kohën kur sipas tij Kurti në të kaluarën ka folur për reciprocitet të plotë e që tani “nisi të zbatohet në çështje specifike”.

“Kurti po bën përpjekje me bo reciprocitet në çështje specifike duke e anashkaluar reciprocitetin e plotë. Ndërsa e mban mend mirë se politikisht është formuar duke na folë për reciprocitet të plotë me Serbinë e që nisi të zbatohet në çështje specifike”, deklaroi Tahiri.

Sipas Tahirit, nëse kryeministri do t’i përmbahej reciprocitetit të plotë do të duhet t’i zinte vend së pari në fushën e ekonomisë.

“Nëse do t’i përmbahej reciprocitetit të plotë, ai do të duhet t’i zinte vend së pari në fushën e ekonomisë. Po flas për reciprocitet që garanton kushte të barabarta për ndërmarrësit e të dyja vendeve. Prodhimet serbe sot futen në Kosovë me certifikata të lëshuara nga Serbia e cila Kosova i njeh sit ë tilla, ndërsa Serbia të Kosovës nuk i njeh”, tha Tahiri.

“Përderisa nuk ka gatishmëri për të vendosur reciprocitet të plotë, kjo përzgjedhje e masave po na jep përshtypje që këto masa janë para se të jenë qëllim në vetvete, janë qëllime instrumentale”, shtoi ai.

Tahiri ka kërkuar nga Qeveria qartësi për rrugën që ka marrë procesi i dialogut dhe nëse ajo po i përmbahet parimeve të saj.

“Pas këtyre ngjarjeve dhe kësaj paqartësie të thellë, një prej pyetjeve më ligjitime është të kërkojmë nga Qeveria qartësi për rrugën që ka marrë procesi i dialogut”, u shpreh Tahiri.

Një ditë para se të hynte në fuqi vendimi të Qeverisë së Kosovës që qytetarët e Serbisë të pajisen me dokumentin për hyrje-dalje për në Kosovë, grupe të organizuara bllokuan rrugët për në pikat kufitare, në Jarinje dhe Bërnjak.

Përveç bllokimit të rrugëve, Policia e Kosovës kishte njoftuar se në natën e 31 gushtit kishte pasur sulme me armë ndaj Policisë së Kosovës, ndërsa disa qytetarë është raportuar se janë lënduar nga persona të maskuar dhe të pajisur me armë të gjata.

Qeveria e Kosovës pas kërkesës së ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, ishte zotuar që të shtyhet për 30 ditë zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit, nga momenti kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.