Tahiri: Kosovës në këtë ditë po i mungojnë protagonistët e luftës

Në seancën solemne që u mbajtë në Kuvendin e Kosovës, më 12.06.2024, shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se 25 vjet më parë në Kosovë ka ndodhur mrekullia.

Gjatë fjalimit, ai deklaroi se Kosova dhe qytetarët e saj do ta kujtojnë 12 qershorin 1999, si datë historike.

“Padyshim kjo është data më e rëndësishme në historinë tonë. E kemi për detyrë t’i përulemi të gjithë atyre dëshmorëve e heronjve ndër breza, duke filluar nga Adem Jashari, Shkëlzen e Luan Haradinaj, Zahir Pajaziti, Salih Çeku, Agim Ramadani, që luftuan për lirinë e vendit që sot ne po e gëzojmë”- tha Tahiri.

Sipas tij, është obligim i të gjithëve që ‘’ti kujtojmë të gjithë ata ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kanë rënë në betejat e tyre, por edhe këta që janë gjallë”.

Ai shtoi se Kosovës në këtë ditë po i mungojnë edhe udhëheqës që janë gjallë e që ishin protagonist të luftës.

“Padyshim që në këtë ditë s’kemi sesi të mos i përkujtojmë edhe mijëra veprimtarë të ndryshëm. S’kemi sesi mos ta kujtojmë prej lëvizjeve të hershme për liri, presidentin Ibrahim Rugova, Adem Demaçin e deri tek këta që janë gjallë e që ishin protagonist të luftës, presidentin Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, gjeneralin Rexhep Selimi e shokët e tyre”, – tha Tahiri.

25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me futjen e tyre në “tokën e djegur”, iu dha fund luftës së nisur në vitin 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe.

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas Marrëveshjes së Kumanovës e cila u arrit më 09.06.1999, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia pranonte kapitullimin dhe detyrohej t’i tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.