Gashi: Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ishte jetike për kosovarët

Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, në shënim të 25-vjetorit të çlirimit të vendit, shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se kjo ditë përkujtohet si fillim i një kapitulli të ri për popullin e Kosovës.

Çerek shekulli më parë, sipas tij, populli i Kosovës jetonte në kushte shumë të vështira, të persekutimit e masakrave.

“E gjithë bota u trondit nga pamjet e dhunës së papërshkrueshme që përjetuan shqiptarët e Kosovës, por as në momentet më të vështira ne nuk e humbëm shpirtin tonë luftarak dhe dëshirën e pashuar për liri, pavarësi e demokraci. Ushtria Çlirimtare e Kosovës me guxim të jashtëzakonshëm luftoi për të drejtat dhe lirinë tonë duke i treguar botës se populli jonë nuk i nështrohet askujt”- tha Gashi.

E ndërhyrja e NATO-së, siç tha ai, ishte jetike.

“Në këtë ditë të shenjtë përulemi me respekt të thellë para të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë tonë”, u shpreh Gashi.

Në këtë seancë solemne, kanë folur edhe krerët institucional të Kosovës, Vjosa Osmani, Albin Kurti e Glauk Konjufca, si dhe ata të Shqipërisë, Bajram Begaj e Lindita Nikolla.

25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me futjen e tyre në “tokën e djegur”, iu dha fund luftës së nisur në vitin 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe.

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas Marrëveshjes së Kumanovës e cila u arrit më 09.06.1999, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia pranonte kapitullimin dhe detyrohej t’i tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.

Kosova, një çerek shekulli e lirë