Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Svelça: Çështja e sigurisë në veri kurrë nuk ka qenë më e mirë

Ndonëse në fillim të kësaj jave një qytetar u plagos nga një armë zjarri, e ku dyshohen se të përfshirë kanë qenë disa zyrtarë policorë, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla thotë se situata e sigurisë në veri kurrë nuk ka qenë më e mirë.

Këto komente, ministri Sveçla i dha gjatë raportimit në Komisionin për Integrim Evropian.

Ministri Sveçla në mes tjerash tha se vjen keq për incidentin që ka ndodhur disa ditë më parë në Leposaviq.

“Sa i takon MPB-së, çështja e sigurisë në veri kurrë nuk ka qenë më e mirë, institucionet e sigurisë së Kosovës kurrë nuk kanë bërë punë më të mirë. Më vjen keq që para dy tri ditëve e kemi pas një incident të padëshirueshëm, me të cilin janë duke u marrë institucionet e sigurisë” – tha Sveçla.

Këtë çështje e ka ngritur si temë diskutimi, kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian, Rrezarta Krasniqi.

Ajo ka thënë se me qeverinë Kurti, gjendja në veri të Kosovës është kthyer në pikën zero.

“Ju thatë që gjendja në veri nuk ka qenë e mirë që nga paslufta, atë e dimë, po përpara ka pasë gjyqtarë, ka pasë prokurorë. Me këtë qeveri jemi kthyer në pikën zero, gjithçka është kthyer mbrapa”- ka thënë deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

4 policë suspendohen pasi dyshohen për përfshirje në plagosjen e një personi në Leposaviq