Foto: Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike

Sveçla premton përkrahje për fshatrat e Zveçanit

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, kanë vizituar disa fshatra të komunës së Zveçanit.

Me këtë rast, Sveçla ka biseduar me banorët e kësaj ane, të cilët i ka siguruar për përkrahjen nga të gjitha institucionet e Republikës  me qëllim të tejkalimit sa më të lehtë të situatës së krijuar pas përhapjes së coronavirusit në komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Shpërndarja e disa pakove ushqimore dhe higjienike, të siguruara nga Kryqi i Kuq i Kosovës dhe Komuna e Mitrovicës, u bë edhe për banorët e fshatit Boletin të Zveçanit, për të vazhduar më tej edhe në fshatra të tjerë.

Numri i të prekurve me coronavirus në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës ka shkuar në 27, me katër rastet e fundit që janë shënuar në Mitrovicë të Veriut dhe në Zveçan.