Policia e Shqipërisë - Foto: Facebook

Suspendohet polici nga Durrësi pas komunikimit ‘joetik’ me pushuesin nga Kosova

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë ka suspenduar një polic të Durrësit për, siç është thënë, komunikim joetik me një pushues nga Kosova.

Suspendimi ka ardhur pas një videoje të publikuar nga një shtetas kosovar, në të cilën pretendohet sjellja joetike e policit durrsak.

Rasti sipas Policisë së Shtetit ka ndodhur pasi shtetasi i Kosovës ka njoftuar se në banesën e marrë me qira ia kishin vjedhur e 3 celularë.

“Pasi punonjësit e Policisë kanë kryer veprimet paraprake, i kanë shpjeguar proceduren që duhej për të bërë kallëzim në lidhje me vjedhjen e celularëve që ai pretendonte, por shtetasi kosovar nuk ka pranuar dhe më vonë ka deklaruar se i ka gjetur celularët”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjatë komunikimit në lidhje me rastin, punonjësi i Policisë A.L. ka përdorur komunikim joetik me shtetasin kosovar, thuhet në njoftim.

Për këtë, punonjësi i Policisë është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka filluar hetimin disiplinor.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit të punonjësve të policisë me detyrën dhe çdo paligjshmëri në numrin pa pagesë 112, në Komisariatin Dixhital dhe në adresat e tjera zyrtare të Policisë së Shtetit, si dhe në numrin pa pagesë 0800 90 90 të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në MB, duke garantuar reagim të shpejtë e të paanshëm.