Policët e suspenduar në rastin e vrasjes së Hamide Magashit kthehen në punë

Hamide Magashi kishte mbetur e vrarë mbrëmjen e 30 nëntorit të vitit të kaluar nga bashkëshorti i saj Sokol Halili, në oborrin e QKUK-së.

Bashkëshorti i viktimës kishte kryer vetëvrasje, 2 orë para njoftimit nga prokuroria se ishin marrë masat e nevojshme hetimore për sigurimin e të njëjtit në procedurë.

Ndaj 35 vjeçares kishte pasur një udhërmbrojtje dhe për zbatimin e tij kishte qenë i ngarkuar Stacioni policor në Shtime  dhe Lipjan.

Katër zyrtarë policorë nga Stacioni Policor i Lipjanit ishin suspenduar lidhur me këto veprime hetimore.

Kallxo.com mëson se zyrtarët në fjalë janë kthyer në vendin e tyre të punës.

Ata kishin qëndruar nën masën e suspendimit për 122 ditë.

Inspektorati i Policisë së Kosovës ka bërë të ditur për Kallxo.com se ndaj 3 zyrtarëve, rreshterit dhe dy hetuesve është dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelorë të Prishtinës më 17 mars 2023.

Kurse, ndaj komandantit të Stacionit Policor – Lipjan Inspektorati ka bërë kërkesë për inicim të procedurës Disiplinore në Drejtorinë për Hetime të Brendshme.

Sipas IPK-së ndaj të njëjtëve ekziston dyshimi i bazuar për keqpërdorimin e detyrës apo autoritetit zyrtar.

Njoftimin për ndërprerjen e masës së suspendimit e kishte dhënë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë më 4 prill, njofton Inspektorati.

“Suspendimi në interes të hetimit të Inspektoratit Policor ka përfunduar me dorëzimin e kallëzimit penal” – thuhet në njoftimin e Inspektoratit.

KALLXO.com kishte mësuar  nga burime brenda policisë së dy hetuesit policorë dyshohet se kishin plotësuar formularë kinse kanë monitoruar dhe vëzhguar urdhrin mbrojtës të Hamide Magashit.

Policët dyshohet se plotësuan formularët e mbikëqyrjes së urdhërit mbrojtës pas vrasjes së 35 vjeçares

Por plotësimi i formularit ka ndodhur pasi Hamide Magashi ishte vrarë nga bashkëshorti i saj.

Këta formularë ishin shkruar nga hetuesit por nuk janë nënshkruar nga viktima pasi që kanë qenë të falsifikuara dhe të njëjtit asnjëherë nuk kanë qenë te e njëjta.

KALLXO.com kishte raportuar se komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, Naser Sinani, një rreshter dhe dy hetues policorë ishin suspenduar nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Kallxo.com i është drejtuar edhe Prokurorisë me pyetje lidhur me atë se në çfarë faze qëndron procedura aktualisht, por deri ne publikimin e këtij shkrimi nuk ka kthyer përgjigje.

Raportimet e KALLXO.com lidhur em këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK