Foto: Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës

'Superheronjtë' gëzojnë fëmijët në QKUK

Fëmijët që po trajtohen në Klinikën e Pediatrisë në QKUK u gëzuan sot nga vizita e “superheronjve” të tyre.

Ky aktivitet u organizua nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), Klubi “Alpin Prishtina” (KAP) dhe organizata “Care for Kosovo Kids”.

Alpinistët e KAP, të veshur me kostume të personazheve më të dashur për fëmijët, u lëshuan me litarë nga ballkonet e dritaret e Klinikës së Pediatrisë.

Ata shpërndanë edhe dhurata për fëmijët që po marrin trajtim mjekësor në QKUK.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK), Elvir Azizi tha para mediave se këtë vit kanë zgjeruar Listën e Barnave Esenciale për të mundësuar trajtim më të mirë për fëmijët.

“Aktivitete e tilla janë të mirëseardhura, ngase krahas trajtimit shëndetësor, fëmijët kanë nevojë edhe për trajtim shpirtëror” – tha Azizi.

Ky organizim, siç tha Mrika Karaçi, menaxhere për aktivitete në “Care for Kosovo Kids është bërë me qëllim të ngritjes së fondeve për trajtim të fëmijëve me kancer.

Ky aktivitet është përsëritu që disa vite me radhë.