Foto-ilustrim

Sulmojnë me shkopinj druri të dëmtuarin, 30 ditë paraburgim të dyshuarit

Gjykata e Prizrenit ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë duke caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të pandehurin L.U.

Ai po dyshohet se ka kryer veprën penale të sulmit dhe asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë.

Gjykata ka njoftuar se më 22 janar 2022, në Prizren, i pandehuri L.U., së bashku me dy persona të tjerë që gjenden në arrati, sulmojnë të dëmtuarin L.M. me mjete të forta – shkop druri në pjesë të ndryshme të trupit.

Tutje thuhet se pas përleshjes fizike, në shenjë revolte me mjete të forta të dyshuarit e godasin automjetin duke ia thyer xhamat, me ç’rast me këtë veprim të dëmtuarit i shkaktojnë dëm material.

Gjykata ka vlerësuar se paraburgimi ka qenë masa adekuate në këtë fazë të procedurës.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se hetimet penale janë në fazën fillestare, dhe me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku se i njëjti do të pengojë rrjedhën normale të kësaj procedure penale, gjithashtu duke marrë për bazë mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, ku i dëmtuari sulmohet me mjete të forta – shkop druri, dhe i pandehuri e duket e goditur në vazhdimësi, tregon vendosmërinë për të kryer veprën penale”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit por ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.