Sulmohet një infermier në Spitalin e Prizrenit

Sindikata e Spitalit të Përgjithshëm në Prizren ka reaguar pas sulmit fizik ndaj infermierit të Repartit të Radiologjisë N.S.

Sipas reagimit të sindikatës, në mbrëmjen e 14 marsit gjatë ndërrimit të natës, rreth orës 22:00, në vendin e punës derisa po ofronte shërbime shëndetësore për pacientët, është sulmuar infermieri i Repartit të Radiologjisë N.S. Deri te sulmi, sipas sindikatës, ka ardhur pikërisht kur infermieri ka kërkuar të plotësohen të dhënat elementare në udhëzim (emër e mbiemër) e për prindin e pacientit kjo kërkesë nuk ishte e pranueshme dhe e sulmon infermierin fizikisht duke i shkaktuar lëndime në njërin sy.

“Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës dënon rëndë dhunën e ushtruar ndaj punëtorëve shëndetësor, dhe kërkon nga instancat më të larta shtetërore që të merren me rastin në fjalë, duke ditur që raste të tilla të turpshme janë bërë të shpeshta të cilat po e fyejnë rëndë identitetin dhe imazhin e punëtorëve shëndetësorë në vend”, thuhet në reagim.