Ilustrim

17 pacientë nga Shqipëria marrin shërbime të dializës falas në Kosovë

17 pacientë nga Shqipëria po marrin shërbime të rregullta të dializës në kuadër të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, shërbim ky që po ofrohet falas, sikurse për qytetarët e tjerë të Kosovës.

Krahas tyre, janë edhe 195 pacientë të tjerë nga komuna të ndryshme të regjionit të Prizrenit, duke e kaluar në 212 numrin e përgjithshëm të pacientëve që dializohen në këtë spital.

Sipas njoftimit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, brenda vitit, në Repartin e Dializës ofrohen 30 mijë seanca dialize, përfshirë edhe shtetas të vendeve të tjera, që përkohësisht janë në Prizren.
“Stafi që ofron shërbimet e Dializës është i trajnuar, përfshirë mjekë internistë – nefrologë, por edhe infermierët dhe stafi tjetër mbështetës që me përkushtim shërbejnë për pacienët” – thuhet në njoftim.
Numri i pacientëve sipas vendbanimeve:
  • Komuna e Prizrenit – 98 pacientë
  • Komuna e Suharekës – 28 pacientë
  • Komuna e Rahovecit – 27 pacientë
  • Komuna e Malishevës – 23 pacientë
  • Komuna e Dragashit – 16 pacientë,
  • Komuna e Mamushës – 1 pacient
  • Republika e Shqipërisë – 17 pacientë