Foto: Ministria e Shëndetësisë

Vitia: Gjatë këtij viti Spitali i Prizrenit do të furnizohet me rezonancë magnetike

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka vizituar sot Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, nga ku ka njoftuar se ky Spital së shpejti do të furnizohet më rezonancë magnetike.

“Gjatë këtij viti, Ministria e Shëndetësisë do ta furnizojë Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit me rezonancën magnetike, e cila do të jetë në dispozicion për banorët e Komunës së Prizrenit, por edhe të banorëve të komunave përreth”- thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Vitia ka theksuar intensifikimin e bashkëpunimit ngaqë, sipas tij, Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit është spitali më i madh regjional që ofron shërbime edhe për shtetasit e Shqipërisë.

Ai ka thënë se shërbimet e Kardiologjisë Invazive për herë të parë do të ofrohen në një spital regjional, e jo vetëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Gjatë këtij viti do të përfundoj edhe pjesa e Kardiologjisë Invazive që do të ndikojë në shtimin e shërbimeve. Shërbimet e Kardiologjisë Invazive për herë të parë do të ofrohen në një spital regjional, e jo vetëm në QKUK. Shërbimet si koronografitë dhe stentimet do të mundësohen edhe në këtë spital. Një lajm tjetër i rëndësishëm është se tashmë janë bërë planifikimet që një pjesë e shërbimeve onkologjike të merren edhe në këtë spital. “- ka thënë Vitia.

Sipas tij, përpos investimeve që do të realizohen gjatë këtij viti, në kuadër të planifikimeve të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, janë planifikuar investime në projekte të cilat do të avancojnë shërbimet për qytetarët.

Vitia bashkë me zv.ministrin Arsim Berisha dhe udhëheqësit e Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, kanë vizituar hapësirën e repartit që në të ardhmen do të ofrojë shërbimet e Kardiologjisë Invazive, Repartin e Kirurgjisë, Qendrën për Dializë si dhe hapësirën ku do të vendoset rezonanca magnetike.

Në njoftim thuhet se gjatë kësaj vizite, Vitia u njoftua edhe për mbarëvajtjen e “Objektit spitalor për nënën dhe fëmijën” që ka për qëllim përmirësimin e kujdesit ndaj shëndetit të popullatës, veçanërisht të kujdesit ndaj shëndetit të nënës e fëmijës.