Hasan Arzoallxhiu emërohet U.D. i drejtorit të Spitalit të Prizrenit

Hasan Arzoallxhiu është emëruar ushtrues detyre i drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit më 27 janar.

Këtë vendim e ka marrë, U.D. drejtoresha e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës Narqize Arënliu – Hoxhaj, e cila drejtonte vetë atë spital, para se të kalonte në krye të ShSKUK-së.

Arënliu – Hoxhaj u emërua ushtruese e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të ShSKUK-së, nga bordi drejtues, pas dorëheqjes së Pranvera Zejnullahu – Raçit nga kjo pozitë.

“Dr. Narqize Arënliu Hoxhaj në pozitën e drejtoreshës ekzekutive të spitalit të përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren ka ardhur më datën 28 qershor 2022, me kontratën e nënshkruar me drejtorin e përgjithshëm të SHSKUK-së, dhe në këtë detyrë ka qenë deri më datën 26 janar 2023” – tha për KALLXO.com, Shefajet Berisha, Zyrtar i komunikimit në këtë spital.

Për marrjen e pozitës së re, Narqize Arënliu – Hoxhajn e ka uruar Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.