Sulm kibernetik ndaj llogarisës së ministres Haradinaj- Stublla në Facebook

Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, pasditen e sotme i është sulmuar llogaria e saj në Facebook.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, ky sulm kibernetik ndaj llogarisë së saj vjen pas reagimit që kishte sot ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiqit.

“Ky sulm kibernetik ndaj llogarisë së saj vjen pas reagimit që kishte sot ndaj deklaratave tendencioze të Aleksandër Vuçiqit, ish ministër dhe bashkëpunëtor i afërt i Sllobodan Millosheviqit, i cili kërcënoi hapur me luftë të re në Ballkan të gjitha shtetet fqinje të rreshtuara me NATO-n, duke thënë se Serbia duhet të vazhdojë forcimin ushtarak”, thuhet në reagim.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka kërkuar mirëkuptimin e opinionit publik deri në rikthimin e llogarisë.

Sot, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se zgjidhja me Kosovën duhet të arrihet sa më herët përmes dialogut ose mund të ndodhë ndonjë konflikt i mundshëm.

Për këtë kishte reaguar ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila tha se Vuçiq kërcënoi të gjitha vendet fqinje të rreshtuara krah NATO-s.