Suedia dhe Finlanda dakordohen që t’i paraqesin aplikimet për antarësim në NATO

Suedia dhe Finlanda kanë rënë dakord t’i paraqesin aplikimet e njëkohshme për anëtarësim në aleancën e NATO-s të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që nga mesi i muajit të ardhshëm, kanë raportuar mediat nordike.

E përditshmja finlandeze Iltalehti tha të hënën se Stokholmi “u kishte sugjeruar të dyja vendeve ta shfaqnin gatishmërinë e tyre për t’u bashkuar” në të njëjtën ditë dhe se Helsinki kishte rënë dakord “për sa kohë që qeveria suedeze e ka marrë vendimin e saj”.

Gazeta suedeze Expressen citoi burime qeveritare të cilat e konfirmonin raportin. Kryeministrat e të dy vendeve thanë këtë muaj se ata po diskutonin këtë çështje, duke argumentuar se pushtimi rus i Ukrainës e kishte ndryshuar “të gjithë peizazhin e sigurisë” të Evropës dhe “mendësitë e formësuara në mënyrë dramatike” në rajonin nordik.

Kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin, tha atëherë se vendi i saj, i cili ndan një kufi 1,300 km me Rusinë, do të vendoste nëse do të aplikonte për t’u bashkuar me aleancën “shumë shpejt, në javë e jo në muaj”, pavarësisht rrezikut të frustrimit të Moskës.

Homologia e saj suedeze, Magdalena Andersson, tha se Suedia duhej të ishte “e përgatitur për të gjitha llojet e veprimeve nga Rusia” dhe se “gjithçka ndryshoi” kur Moska sulmoi Ukrainën. Rusia i ka paralajmëruar vazhdimisht të dyja vendet kundër këtij vendimi.

Kremlini zyrtar ka thënë se do të detyrohej ta “rikthejë ekuilibrin ushtarak” duke forcuar mbrojtjen e tij në Balltik, duke përfshirë vendosjen e armëve bërthamore, nëse të dyja vendet vendosin t’i braktisin dekadat e mosangazhimit ushtarak duke iu bashkuar NATO-s.

Ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde, tha javën e kaluar se një rishikim i gjerë i politikës së sigurisë do të përfundonte më 13 në vend të 31 majit siç ishte planifikuar fillimisht, duke shtuar se me analizën e Finlandës të publikuar tashmë “tani ka shumë presion”.

Expressen tha se aplikimet e njëkohshme mund të dorëzohen në javën e 16 majit, që përkon me një vizitë shtetërore në Stokholm nga presidenti finlandez Sauli Niinistö. 

Sondazhet e fundit të opinionit publik kanë treguar se deri në 68% e finlandezëve janë në favor të anëtarësimit në aleancë, më shumë se dyfishi i shifrës para pushtimit, me vetëm 12% kundër. Sondazhet në Suedi sugjerojnë se një shumicë e vogël e suedezëve gjithashtu e mbështesin anëtarësimin.

Të dyja vendet janë zyrtarisht të paangazhuara ushtarakisht, por u janë partnerë të NATO-s – duke marrë pjesë në stërvitje dhe duke shkëmbyer informacione – pasi braktisën qëndrimin e tyre të mëparshëm të neutralitetit strikt kur u bashkuan me BE-në në vitin 1995 pas përfundimit të Luftës së Ftohtë./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala