Stuhia detare përfshin gjirin e Durrësit

Një stuhi detare ka përfshirë gjirin e Durrësit që prej pasdites së kësaj të diele.

Si pasojë e motit të keq, në portin më të madh në vend janë regjistruar probleme.

Era e fortë shkëputi cimat e tragetit të linjës Durrës-Ankona, “Af Claudia”.

Burime nga APD konfirmojnë për Euronews Albania se spostimi i tij nuk ka shkaktuar të lënduar, apo probleme të sigurisë për mjetet e tjera në port.

Pas ndërhyrjes së menjëhershme të kapitenerisë, rimorkiatorëve dhe pilotëve, gjendja është kthyer në normalitet dhe ka nisur imbarkimi i pasagjerëve.

Prandaj, parashikuar për t’u nisur në orën 19:00, trageti do të niset me më shumë se një orë vonesë.

Me vonesë pritet të mbërrijë edhe trageti që niset nga brigjet italiane, respektivisht nga porti i Barit.

Në një njoftim në faqen zyrtare, APD bën të ditur, se “Af Marina” “mbërrin me vonesë për shkak të kohës së keqe”./Euronews Albania