Studimi: Gazetaret gra, më të besueshme në raportimin për COVID-19

Pandemia e koronavirusit, përveç të tjerash, ka shërbyer edhe si një lente për të parë rolin e grave në shoqëri, në kushtet e reja të jetesës. Ndërsa është rritur shqetësimi se gratë po përballojnë një barrë më të rëndë të detyrimeve familjare dhe rreziku për dhunë në familje, udhëheqëset femra të disa vendeve po vlerësohen për efikasitetin me të cilin po e luftojnë virusin. Së fundmi, një studim me ndihmën e inteligjencës artificiale në Kaliforni, ka nxjerrë në pah se gratë gazetare gëzojnë më shumë besueshmëri se burrat, përsa i takon raportimit për koronavirusin.

Phillip Meylan dhe organizata ku ai punon The Factual, nuk kishin si synim të analizonin besueshmërinë e artikujve bazuar tek gjinia e autorëve. Por duke studiuar mbulimin e COVID-19, ata vunë re se në një masë të konsiderueshme statistike, gratë gazetare gëzonin më shumë besueshmëri se burrat.

“19 nga 25 gazetarët më të besueshëm janë femra dhe 58 nga 100 gazetarët më të besueshëm janë femra”, i thotë Zërit të Amerikës, Philip Meylan, që bëri analizën e të dhënave.

Ai thotë se ky përfundim të bën edhe më shumë përshtypje kur mendon se mes mbi 70 mijë artikujve të analizuar, gjatë 135 ditëve, gratë ishin një numër më i vogël i autorëve dhe mes këtyre artikujve 6 mijë më shumë ishin shkruar nga burrat sesa nga gratë.

“Ne zbuluam se gazetaret femra janë në numër më të pakët në artikujt që ne grumbulluam. Ato përbëjnë 45 për qind të të gjithë gazetarëve dhe kanë shkruar 41.8 për qind të gjithë artikujve.”

The Factual përdor një sistem vlerësimi me katër elementë për të matur besueshmërinë, përfshirë një histori besueshmërie të medias që e boton dhe autorit që shkruan, burime të besueshme, dhe toni i një artikulli, nëse është ndezës apo neutral.

“Të gjitha këto të dhëna tregojnë se të paktën përsa i takon koronavirusit, gazetaret femra kanë qenë më neutrale në tonin e tyre, kanë pasur burime më të mira, dhe në përgjithësi kanë nxjerrë artikuj më të besueshëm dhe me më shumë informacion”, thotë zoti Meylan.

Matja e besueshmërisë bëhet në një shkallë 0 deri në 100 për qind. Dhe çdo gjë që është 75 për qind e lart, konsiderohet me besueshmëri të lartë.

Kur bëhet fjalë për gazetarinë në përgjithësi, hendeku i besueshmërisë nuk është shumë i konsiderueshëm statistikisht, por Meynar thotë se duke pasur parasysh që numri i përgjithshëm i gazetareve femra është më i vogël, në proporcion me numrin e përgjithshëm, gazetaret femra janë më të besueshme.

“Në këtë rast 14 nga 25 gazetarët më të besueshëm, ishin femra dhe 48 nga 100 gazetarët më të besueshëm ishin femra dhe kur i vendos këto shifra në kontekstin ku vetëm 42 për qind e gazetarëve janë femra, 14:21 Kjo të lë të kuptosh që gazetaret femra mesatarisht janë më të besueshme.”

Meynar thotë se këto përfundime nuk janë një sugjerim se çfarë artikujsh duhet të lexojë audienca, por një mënyrë për të analizuar nëse cilësia e gazetarisë në përgjithësi po dëmtohet në kushtet kur gratë janë më pak të përfaqësuara, megjithëse janë më të besueshme.

“Nëse gazetaret femra përballen me sfida, përballen me më shumë pengesa kur shkojnë të raportojnë për koronavirusin për protestat e ditëve të fundit, si po ndikon kjo tek lajmet që prodhohen, por edhe çfarë historie në përgjithësi vjet tek ne (lexuesit)?”

Për t’i vënë këto përfundime në kontekst, Philip Meynar dhe The Factual, iu drejtuan ekspertes së çështjeve gjinore, Lucina di Meco.

“Në shumë fusha si gazetaria, udhëheqja politike, gratë duhet të jenë të përgatitura dhe disa herë edhe më të përgatitura se ç’kërkohet për të mbajtur të njëjtat vende pune që mbajnë burrat, disa herë duke u paguar më pak se burrat dhe prej tyre pritet të mos bëjnë asnjë gabim”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.

Di Meco thotë se për këtë arsye nuk është e befasuar që gratë janë veçanërisht të kujdesshme në mënyrën se si i trajtojnë çështje kaq jetike.

“Dhe gazetaret femra në mënyrë të veçantë janë mjaft të kujdesshme në mënyrën se si e bëjnë punën e tyre.”

Di Meco, autore e raportit “#AjoTriumfoi: Gratë, Politika&Pushteti në Botën e Medias të re” e sheh këtë përfundim të fundit për besueshmërinë e gaztereve në raportimin për koronavirusin, në të njëjtën linjë me vlerësimet që kanë marrë grate udhëheqëse në vende të ndryshme për luftën ndaj epidemisë. Në fakt, Zelanda e Re, me kryesmonistre Jacinda Arden e ka eliminuar koronavirusin.

“Ne e dimë se gratë në politikë ka gjasa të jenë më të respektuara nga publiku. Ato shikohen si më të sinqerta. Ne e dimë që vendet që janë të udhëhequra nga gratë ose që kanë një përfaqësim më të madh të grave në parlamente, kanë gjendje më të mirë të shëndetësisë, sipas studimeve dhe ato vende kanë prirjen të kenë më pak korrupsion”, thotë ajo.

Por ajo thotë gjithashtu grupe interesash që tradicionalisht janë mbizotëruar nga meshkujt, nuk janë të prirura të lëshojnë pushtetin dhe t’u japin mundësi grave që të jenë në gjendje të qasen tek ky pushtet.

Di Meco thotë se gratë shpesh kanë një stil të ndryshëm udhëheqës më pjesëmarrës, më të kujdesshëm, që merr në konsideratë një gamë më të gjerë grupesh interesash.

“Këto janë disa nga të njëjtat karakteristika të nevojshme që i duhen një gazetari të mirë që të krijojnë një artikull, apo kronikë vërtet të mirë, që jep të gjitha dimensionet. Pa diskutim që shikoj paralele.”

Ekspertë si di Meco thonë se sot roli i gruas është më i domosdoshëm se kurrë. E emegjithatë, thotë ajo pikërisht në këtë kohë, grave u mbytet zëri, ose ngacmohen sa herë shkruajnë diçka në internet.

“Trajtimi që marrin politikanet gra, është shumë i ngjashëm me mënyrën se si trajtohen gazetaret gra dhe kjo ka të bëjë me faktin që ato janë figura publike”, thotë ajo.

Përveç kësaj, gratë kanë një barrë edhe më të jashtëzakonshme mbi supe.

“Është vërtetuar se kur ato janë në shtëpi dhe partnerët e tyre janë në shtëpi, ato kryejnë pjesën më të madhe të kujdesit për fëmijët”.

Dhe kjo ka pasoja në kontributin e tyre profesional.

“Është provuar për shembull se në botën akademike, gratë tani po dorëzojnë më pak studime sesa kolegët e tyre burra dhe kjo ka shumë të bëjë me faktin se kanë më pak kohë për të bërë punën e tyre”.

Pandemia po ndikon gjithashtu negativisht në drejtime të tjera, ku gratë kanë humbur më shumë vende pune se burrat dhe ku rreziku i dhunës gjinore brenda familjes është shtuar.

Për këtë arsye duhet të merren masa proaktive, për të frenuar ndikimin negativ tek gratë. “Hartuesit e politikave kanë një përgjegjësi të madhe që të sigurojnë që çdo vendim që po merret për mënyrën e menaxhimit të pandemisë, si edhe për periudhën e mëpasme, përfshirë rimëkëmbjen ekonomike, të marrë parasysh nevojat e grave dhe vajzave, të mbështetet në një analizë gjinore e përvojave dhe situatave të vërteta të grave dhe vajzave”, thotë di Meco./VOA