Foto: Adelina Ahmeti, KALLXO.com

Sot protestojnë njësitë speciale dhe departamente të tjera të policisë

Nga ora 12:00 është paraparë që të nis protesta e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, përfshirë njësitë speciale, hetues të departamenteve të ndryshme.

Në këtë protestë do të marrë pjesë edhe Sindikata e Policisë së Kosovës.

Protesta do të jetë paqësore ndërsa kërkesat tashmë janë bërë publike disa herë, kategorizimi dhe vlera e shtesave të rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

”Po, po patjetër edhe ata pjesëtarë të Policisë janë, na jemi sindikata që i mbrojmë të drejtat e punëtorëve edhe do t’i paraqesim të gjitha kërkesat d.m.th. për gjithë pjesëtarët e policisë dhe jo vetëm për njësitë të cilat do të marrin pjesë” –  ka thënë në një bisedë me KALLXO.com, kreu i sindikatës së policisë, Imer Zeqiri.

Protesta e sotme regjistrohet si e dyta për këtë çështje nga ana e njësive policore.

Kjo pasi që fillimisht më 1 nëntor, pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese të njohur si FIT, kishin protestuar për të kërkuar nga qeveria kategorizimin e shtesave dhe rrezikshmërisë.

Një protestë tjetër më pas të cilën e kishin thirrur disa ditë më vonë e anuluan me shpresën se në një takim që u ishte premtuar do të arrinin një marrëveshje me Kryeministrin Kurti për këto kërkesa.

Por takimi i 15 nëntorit ishte pa marrëveshje. Kjo pasi që Kryeministri Kurti kishte vlerësuar gjatë takimit se “kategorizimi dhe vlera e shtesave të rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës është bërë me kujdes të veçantë e të shtuar, duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët rreth punës dhe përgjegjësive të tyre, por në të njëjtën kohë duke pasur parasysh edhe kufizimet që ekzistojnë”.

Kjo më pas u shqyrtua edhe nga policia dhe në protestën e sotme priten që të jenë të pranishëm policë të njësive të ndryshme policore jo vetëm ata të NJSI-së dhe Njësisë për trajtimin e mjeteve eksplozive.

Paralajmërohet protesta e radhës e FIT-it, bashkëngjiten edhe njësi të tjera