SKV kërkon që Këshilli i Etikës të marr masa ndaj profesorit Bekim Bejta

Aktivistët e organizatës studentore Studim, Kritikë dhe Veprim (SKV) kanë protestuar para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” me kërkesën që të merren masa ndaj profesorit universitar Bekim Bejta, i cili ligjëron në Fakultetin e Filologjisë.

Përfaqësuesi i SKV-së, Denis Krasniqi tha se “Lëvizja studentore, Studim Kritikë Veprim dënon ashpër sjelljet e profesorit Bekim Bejta me studentët e tij por jo vetëm me studentët, sjellja e njejtë ka vazhduar edhe me gjithë UP në përgjithësi duke e ditur se çfarë ka ngjarë pas raportimit të mediave për sjelljet e profesorit Bejta”- ka thënë Krasniqi.

Javën e kaluar në media është publikuar një audioincizim në të cilin dëgjohet profesori Bekim Bejta duke ju drejtuar një studenteje në gjuhë denigruese.

Dea Lala, përfaqësuese e studentëve tha se “kërcënimet e profesorit Bekim Bejta janë shumë më serioze sesa që po i cilëson Këshilli i Etikës së Universitetit të Prishtinës, që përmes heshtjes dhe tolerimit të rasteve të tilla, përpos qe e shton pasigurinë tek studentët, i jep hapësirë edhe më të madhe profesorëve të tillë për të përdorur gjuhë të papërshtatshme”.

KALLXO.com ka kontaktuar me profesorin Bekim Bejta, i cili shkurt ka komentuar këtë çështje.

“Shihet se çdo gjë është manipulim, montazh, montazh, në çfarëdo mënyre qoftë”- ka thënë Bejta.

Pas publikimit të audioincizimit UP-ja ka thënë se është duke e trajtuar me urgjencë këtë rast.

“UP distancohet nga një diskurs me përmbajtje të tillë si dhe nga çdo sjellje jo akademike e profesorit në fjalë. Me këtë rast, menaxhmenti i UP-së, shpreh përkushtimin e palëkundur për të garantuar zbatueshmërinë e Kodit të Etikës në të gjithë mjedisin mësimor akademik. Në këtë drejtim, UP është duke e shqyrtuar me urgjencë rastin dhe do të ndërmarrë inicimin e masave adekuate që janë në dispozicion dhe në kompetencë brenda universitetit, pa paragjykim ndaj procedurave jashtë institucionit që mund të zhvillohen nga autoritetet kompetente”, thuhet në reagimin e UP-së.