Skoci: ish liderja skoceze, Nicola Sturgeon, lirohet pa akuza pas arrestimit  

Ish-ministrja e parë e Skocisë, Nicola Sturgeon, është liruar pa asnjë akuzë pasi paraprakisht u arrestua nga policia të dielën, si pjesë e një hetimi për sjellje të pahijshme financiare nga Partia Kombëtare Skoceze (SNP), sipas medias britanike PA Media.

Një zëdhënëse e Sturgeon konfirmoi më herët arrestimin dhe i tha PA Media se “Nicola ka thënë vazhdimisht se do të bashkëpunojëme hetimin nëse i kërkohet dhe vazhdon ta bëjë këtë”.

Burri i Sturgeon dhe ish-shefi ekzekutiv i SNP, Peter Murrell, u arrestua dhe u lirua në fillim të këtij muaji, bashkë me arkëtarin e grupit, Colin Beattie, dhe zyrtarët policorë e kanë bastisur selinë e partisë në Edinburgh.

Sturgeon e bëri të ditur papritmas dorëheqjen e saj si ministre e parë në muajin shkurt, pas një periudhe nëntëvjeçare në të cilën ajo u bë figura kryesore e lëvizjes për pavarësinë e Skocisë nga Mbretëria e Bashkuar.

Por që nga largimi, partia që ajo udhëhoqi për gati një dekadë është përfshirë në kaos mes një hetimi policor të publikuar gjerësisht. Zyrarët policorë e kanë hetuar trajtimin e parave nga SNP që ishin planifikuar për fushatën e pavarësisë skoceze, sipas PA Media.

Grupi e ka dominuar politikën në veri të kufirit për më shumë se një dekadë dhe ka evokuar për një përsëritje të një referendumi të 2014 për pavarësinë, në të cilin votuesit refuzuan mundësinë për t’u ndarë nga Mbretëria e Bashkuar  me 55% në 45% në favor të refuzimit./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala