Foto: Komuna Skenderaj

Skenderaj: Vendoset tenda para QKMF-së për identifikimin e rasteve të dyshimta me coronavirus

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Skenderaj ka vazhduar aktivitetet në kuadër të përpjekjeve për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga coronavirusi.

Nga dje, në hyrje të objektit të QKMF-së është vendosur tenda me qëllim të identifikimit të hershëm të rasteve të dyshimta me koronovirus.

“Këtu pacientët e kanë kontaktin e parë me mjekun. Në këtë pikë identifikohen rastet e dyshimta dhe ato menjëherë izolohen. Hapat e mëtejmë bëhen në konsultim me IKSHP”, thuhet në njoftimin e Komunës së Skenderajt.

Komuna ka njoftuar se është bërë dezinfektimi i të gjitha hapësirave të QKMF-së, pajisjeve si dhe auto ambulancave.

“Stafi është i mobilizuar dhe për momentin mirë i pajisur me pajisje mbrojtëse”, vazhdon njoftimi.

Më tej thuhet se një ekip mobil, gjendet në pikën kufitare në Jarinjë, me qëllim të detektimit të hershëm të rasteve, udhëtarëve që hyjnë përmes kësaj pike kufitare.

“QKMF është e përkushtuar që me gjithë potencialin që kanë të japim krejt atë që është e mundur në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Një kujdes i veçantë është duke i’u kushtuar mbrojtjës së pacientëve të cilët vijnë për shërbime tjera dhe të cilët nuk duhet t’i ekspozohen rrezikut eventual për infeksion”, ka njoftuar Komuna e Skenderajt.

Komuna Skenderaj ka bërë apel tek qytetarët që t’i përmbahen masave të ndermarra nga Shtabi Emergjent Skenderaj dhe Qeveria e Kosovës.

Linja telefonike falas 194 e Qendrës Operative Emergjente Lokale, vazhdon të jetë në dispozicion për të gjithë qytetarët që mund të kenë probleme shëndetësore.

“Personat që kanë dyshime se janë infektuar me virus të vetë izolohen dhe të kërkojnë ndihmë në linjën telefonike falas 194 ose 038/200 80 800, pa pasur nevojë të paraqiten në QKMF, ekipi mobil do të intervenojë shpejtë”, përfundon njoftimi.