Skenderaj, hapen 39 puse për ujë të pijshëm për familjet në nevojë

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari sot ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me organizatën “Qatar Charity”, për hapjen e 39 puseve për ujë të pijshëm.

Sipas njoftimit të Komunës, hapja e puseve do të bëhet në vende të ndryshme publike, e që është paraparë të realizohet për familjet në kushte të rënda ekonomike.

“Në kuadër të këtij memorandumi, organizata merr përsipër realizimin e të gjitha shpenzimeve të këtij projekti, duke nisur nga hapja e puseve më thellësi të ndryshme, sipas nevojave që paraqiten, montimin e pompave të ujit më pajisjet përcjellëse e deri tek vendosja e rubinetës”, thuhet në njoftimin e tyre në rrjetin social “Facebook”.

Ndërsa Komuna e Skenderajt ka bërë identifikimin e familjeve, duke zgjedhur ato raste të cilat kanë më shumë nevojë, për pajisje me ujë të pijshëm, kurse përzgjedhja e familjeve do të bëhet se bashku më organizatën e cila edhe financon këtë projekt për furnizim me ujë.