Komuna e Vushtrrisë thotë se i ka kryer pagesat ndaj ‘Unitetit’

Kompania Rajonale e Mbeturinave, ‘Uniteti’ përmes një njoftimi ka thënë se Komuna e Vushtrrisë, ajo e Mitrovicës së Jugut dhe Skenderajt, nuk i kanë kryer obligimet financiare ndaj saj.

Andaj punëtorët e kësaj kompanie kanë paralajmëruar se do të ndërpresin punën plotësisht në ditët në vazhdim.

Benjamin Shala, drejtor i shërbimeve publike në Vushtrri në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se kjo komunë ka kryer pagesën për KRM, ‘Uniteti’.

Shala tha se rreth 45 mijë euro janë transferuar ditën e martë në llogaritë e KRM, ‘Unitetit’.

“Pardje e kam nënshkruar pagesën, pagesa u realizu, paratë i kanë në xhirollogari, në konto. E pash që e kanë qit një status po nuk e di pse. Pardje e kam nënshkruar unë, dje janë realizu me 1/12 pjesë të buxhetit që na është aprovu”, tha ai.

KRM ‘Uniteti’ në njoftim ka sqaruar se komunat e inkasojnë taksën e mbeturinave prej qytetarëve.

“Sa për informimin, komunat e inkasojnë taksën e mbeturinave prej qytetarëve, ndërsa në fillim të çdo muaji e paguajnë KRM ‘Unitetin’ për shërbimin e kryer ndaj të gjitha ekonomive familjare”, thuhet në komunikatë.

Vonesat në paga, punëtorët e KRM ‘Uniteti’ paralajmërojnë ndërprerje të punës (kallxo.com)