Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Skandali me avullimin e 2 milionëve, PDK distancohet nga i arrestuari

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar në lidhje me skandalin për “avullimin” e 2 milionë eurove nga Thesari i shtetit.

Raportimet e mediave e kanë lidhur zyrtarin e arrestuar të Ministrisë së Financave si person të lidhur me PDK-në.

Mirëpo përmes një komunikate për media, PDK e ka përgënjeshtruar duke thënë se i arrestuar nuk ka lidhje me PDK-në.

“PDK sqaron se zyrtari i arrestuar në Ministrinë e Financave nuk është dhe kurrë nuk ka qenë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës. Përkundrazi, qytetarët e Drenasit e dinë fare mirë që i apostrofuari vjen nga një familje që tradicionalisht kanë qenë mbështetës të LDK-së në këtë komunë. Për më tepër i ftojmë mediat që këtë ta hulumtojnë vetë jashtë PDK-së”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Poashtu, PDK ka kërkuar dorëheqjen e Hykmete Bajramit nga posti i ministres së Financave.

Një person, zyrtar i Ministrisë së Financave, është arrestuar të martën në mbrëmje, pasi që i njëjti dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës duke transferuar para në vlerë 2,077,995.90 milionë euro.

Policia jep detaje për arrestimin e të dyshuarit për keqpërdorim të 2 milionë eurove të thesarit shtetëror