Skandali i zhdukjes së dokumenteve nga sistemi elektronik i Policisë, ministri Veliu flet për KALLXO.com

Zhdukja e disa dokumenteve zyrtare nga sistemi elektronik i Policisë së Kosovës më saktësisht nga zyra e prokurimit në këtë institucion, ka bërë që drejtoresha e Prokurimit Vjollca Balaj të ofroj dorëheqjen e saj.

Në lidhje me këtë rast KALLXO.com ka kontaktuar edhe me ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliu i cili tha se për këtë rast duhet të merret përgjegjësi.

“Sigurisht, unë si ministër i Punëve të Brendshme e mbikëqyri edhe punën e policisë, nëse e vërej që ka diçka të tillë atëherë, sigurisht që do të kërkoj nga kompetentët informacion dhe masa konform dispozitave ligjore në fuqi”, tha ministri Veliu për KALLXO.com.

Ai tutje tha edhe se zhdukja e dokumenteve zyrtare është e papranueshme dhe personat që kanë bërë lëshime të tilla duhet të marrin përgjegjësi.

“Zhdukja e dokumenteve zyrtare është e papranueshme për mua personalisht por edhe për Policinë e Kosovës, nëse ndodhin gjëra të tilla. Me dokumente duhet të jemi të kujdesshëm vazhdimisht të gjithë, sepse nuk munden dokumentet as të zhduken as të dalin dokumente që nuk janë për publikun, sepse në Policinë e Kosovës, në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka edhe dokumente të klasifikuara, konfidenciale që assesi ato as nuk duhet të zhduken, as nuk duhet të dalin ose të bijnë në duart e personave të paautorizuar, rastet kur ndodhin ne duhet t’i hulumtojmë se nga kanë rrjedhë këto dokumente fillimisht dhe pastaj të shkoj në përgjegjësi secili që ka bërë lëshime të tilla”, tha tutje Veliu.

KALLXO.com raportoi sot se Drejtoresha e Prokurimit brenda Policisë së Kosovës, Vjollca Balaj, ka ofruar dorëheqjen nga posti i saj këtë të hënë për shkak se kishte vërejtur keqpërdorime në sistemin elektronik të Policisë, PRIMS.

KALLXO.com, ka tentuar të marrë një përgjigje nga vet Balaj në lidhje me dorëheqjen e saj por e njëjta nuk ka qenë e qasshme në telefon.

Dyshime se dokumente të policisë janë zhdukur, jep dorëheqje Drejtoresha e Prokurimit në Polici

Gjithashtu KALLXO.com ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Policisë së Kosovës, por edhe këta të fundit kanë qenë të pa qasshëm në dhënie të informacioneve për këtë rast.