Situata në veri, Osmani takohet me ndihmës-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me ndihmës-sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për operacione, Thomas Goffus dhe delegacionin përcjellës nga NATO dhe KFOR-i.

Sipas njoftimit, në takim u diskutua për situatën e sigurisë në veri të vendit dhe hapat për deeskalimin e saj.

“Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës”- ka thënë Osmani.

Ajo ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t’i tejkalojnë sfidat aktuale dhe fuqizimin e sundimit te ligjit.

Osmani ka theksuar përkushtimin e thellë të Kosovës për partneritet NATO-n dhe për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe globale.

Sipas Zyrës së Presidencës, ajo nënvizoi angazhimin e Kosovës për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me NATO-n.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj përgjegjësive tona si një partner i besueshëm i NATO-s, duke kontribuar aktivisht në sigurinë rajonale. Kosova do të vazhdojë të punojë ngushtë me NATO-n për t`i adresuar sfidat e sigurisë dhe promovimin e paqes dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar ndër të tjera Presidentja.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, serbët kanë mbajtur protesta.

Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it.

Po ashtu, është raportuar për lëndimin e dhjetëra protestuesve serbë.