Situata në Deçan, Vitia: Sot janë dërguar disa mostra jashtë vendit

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në mbledhjen e Qeverisë, ka bërë të ditur se sot janë dërguar disa mostra jashtë vendit për dyshimet për helmim të ujit në Deçan.

“Sot janë përgaitur një numër i mostravee që pritet të dërgohen jashtë vendit, pasi që ato s’mund të bëhen në Kosovë. Por ne jemi në kontakt edhe me kryetarin Ramosaj dhe me QKMF-në dhe situata është më e qetë sot dhe Ministria e Shëndetësisë për qytetarët e Deçanit”, tha Vitia.

Që nga fundjava e kaluar, banorët e Komunës së Deçanit kanë shfaqur simptoma të helmimit, si: marramendje, të vjella, diarre etj ku edhe sot janë duke kërkuar trajtim në QKMF-në e këtij qyteti.

Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të ujësjellësit “Hidrodrini”.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se ka nisur testimin e mostrave të ujit, të marra nga kjo komunë, por shkaku i helmimit nuk është përcaktuar ende.

Më 13 korrik, autoritetet lokale kanë shpallur gjendje emergjente në Deçan, për shkak të helmimit masiv të banorëve të kësaj komune.