Sipas Vuçiqit targat e vjetra PR, KM, UR, GL do të vlejnë edhe në veri të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se targat e vjetra të automjeteve ato që mbajnë shkurtesat e Prishtinës, Mitrovicës, Ferizajt e Gjilanit, do të vlejnë edhe në veri të Kosovës.

Ai ka thënë se ishte Serbia ajo që ka insistuar për regjimin e letrave ngjitëse mbi simbolet shtetërore që janë të shkruara nëpër targat e automjeteve.

“Do të vlejnë edhe targat e Serbisë të lëshuara për qytetet Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj e Gjilan dhe se ata që i kanë ato, do të mund të lëvizin lirshëm nëpër Serbinë qendrore dhe në veri të Kosovës. Askush nuk do t’i pengojë e as nuk do t’ua marrë”, ka thënë Vuçiq.

Marrëveshja për targat u arrit sot në Bruksel dhe për këtë njoftoi Miroslav Lajçak i ngarkuari i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në targat e automjeteve, që nga 20 shtatori, veturat me targa të Serbisë, kur janë futur në Kosovë është dashur të pajisen me targat e përkohshme “RKS” për të fituar të drejtën e qarkullimit.